Moro:Duhet bashkëpunim pozitë-opozitë. S`ka azil politik në Francë

51

ambasadorja-francezeAmbasadorja e Francës në Shqipëri Christine Moro deklaroi sot se marrja e statusit në qershor është i mundshëm por i takon Shqipërisë të bëjë hapin e duhur.

Duke iu referuar kritereve të kërkuara nga BE-ja për Shqipërinë, Ambasadorja ka ftuar klasën politike të bashkëpunojë për integrimin ndërsa kërkoi nga opozita të mos bllokojë procest integruese të vendit.

“Ka patur hapa të ngadaltë në vitet e kaluara për integrimin. Për ne është me rëndësi të ketë bashkëpunim mes klasës politike. Duhet bashkëpunim pozitë-opozitë. Opozita duhet ta kuptojë rolin e saj. Në një vend demokratik, asaj i kërkohet bashkëpunim jo të bllokojë proceset integruese, debatin. Prespektiva për marrjen e statusit në qershor është e hapur, i takon Shqipërisë të kompletojë përpjekjet, të bëjë hapin e duhur” ka theksuar ambasadorja franceze.

Gjithashtu ambasadorja franceze duke vlerësuar zgjedhjet si me standarde dhe në favor të shqiptarëve, theksoi se duhen rezultate konkrete edhe në luftën kundër korrupsionit dhe kriminalitetit.

“Zgjedhjet ishin test monitorues për Shqipërinë, të cilat vendi juaj i kaloi me sukses. Ka edhe kushte të tjera, që duhen plotësur, siç është kriminaliteti dhe duhet vendosmëri për ta luftuar atë.  Kjo luftë ka filluar dhe Shqipëria e ka të nevojshme që të gjithë bashkë të luftojmë krimin e korrupsionin.  Lufta ndaj krimit dhe korrupsionit nuk është e lehtë, kërkohen rezultate efikase” është shprehur ambasadorja franceze.

Deklarata është bërë gjatë një takimi me studentët e universitetit të Shkodrës ku ambasadorja Moro konfirmoi gjithashtu se në Francë nuk ka përfitues azili politik pasi Shqipëria është në listën e vendeve të sigurta.