Meta: Vlerësimi i S&P, tregon se vendi është në rrugën e duhur të reformave

50

ilirmetaKryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta i ka bërë thirrje opozitës të lërë kërcënimet me protesta dhe të pranojë ofertën për të bashkëpunuar për reformën administrativo-territoriale.

“Kërcënimi për protesta është e drejtë e opozitës, por është absurd kur refuzon këtë ofertë që është afruar në mënyrë gjeneroze. Dihet që reforma është kërkuar jo vetëm nga qytetarët por nga partnerët tanë ndërkombëtarë. Në fund të fundit i takon opozitës të bëjë zgjedhjen e saj. Por ne i kemi afruar të gjitha kushtet për bashkëpunim” tha Meta.

I pyetur a ndihet i përgjuar vetë Meta, ai u përgjigj se, nuk i pëlqen të bëhet politikë përmes vrimës së çelësit.

“Nuk më pëlqen të bëjmë politikë përmes vrimës së çelësit. Kjo është një politikë që i takon së kaluarës dhe nuk është aspak transparente dhe racionale. Pa dashje përfaqësuesit e PD-së i kanë vendosur në gjoks një medalje zotit Tahiri.

“Fakti që Tahiri pranoi sms-në tregoi përgjegjësinë dhe transparencën e tij. Ju ftoj ta rilexoni sms-në. Kjo tregon një ndjeshmëri të jashtëzakonshme të një ministri të shqetësuar nga një situatë konkrete në një periudhë konkrete dhe kërkon të motivojë vartësit e tij“, – tha Meta

Ndërsa përsa i përket qëndrimit të tij në lidhje me nënshkrimin e marrëveshjes më Fondin Monetar Ndërkombëtar, Meta përcolli optimizëm duke e konsideruar këtë marrëveshje me rol bazik të rëndësishëm ekonomiko-financiar për financat e vendit.

“Marrëveshja me FMN-në i jep frymëmarrjen e duhur përmes injektimit të një shume të konsiderueshme parash që nuk do të shkojnë vetëm për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura, por do të inkurajojë avancimin e axhendës së qeverisë për të përmirësuar klimën e biznesit në vend në funksion të stimulimit të kredimit dhe rritjes së punësimit. Vlerësimi i S&P, tregon se vendi është në rrugën e duhur të reformave. Dëshiroj të ftoj të gjithë aktorët të punojnë së bashku për një Shqipëri që rritet çdo ditë”, – tha Meta.