Meta takon zv/Ministrin e Jashtëm të Mongolisë

70

ilirmetaKryetari i Kuvendit Ilir Meta priti sot në Kuvend Zv. Ministrin e Punëve të Jashtme të Mongolisë Damba Gankhuyag.
Kryetari i Kuvendit Ilir Meta vlerësoi avancimin e dukshëm të marrëdhënieve mes dy vendeve gjatë muajve të fundit dhe shprehu bindjen se vizita e Zv. Ministrit të Jashtëm Gankhuyag në Tiranë do t’i japë në shtysë të re marrëdhënieve dypalëshe. Në këtë drejtim, Meta bëri një vlerësim të veçantë për zhvillimin dhe rritjen e madhe ekonomike që ka njohur Mongolia gjatë viteve të fundit dhe shprehu vullnetin për forcimin e bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve.
Zv. Ministri i Punëve të Jashtme të Mongolisë Damba Gankhuyag shprehu kënaqësinë e vizitës së tij në Tiranë duke theksuar se në këtë 65 vjetor të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike, Shqipëria dhe Mongolia kanë shansin e hapjes së një kapitulli të ri në marrëdhëniet miqësore mes tyre. Në këtë kuadër, Gankhuyag i dorëzoi z. Meta ftesën e Kryetarit të Parlamentit të Mongolisë Zandaakhuu Enkhbold për një vizitë zyrtare në Ulan Bator gjatë këtij viti, ftesë të cilën Kryetari i Kuvendit e pranoi me kënaqësi.
Meta dhe Gankhuyag shprehën vullnetin e përbashkët për nënshkrimin e marrëveshjeve të nevojshme bilaterale në funksion të forcimit konkret të shkëmbimeve parlamentare, ekonomike, turistike, kulturore dhe arsimore mes dy vendeve. Në përfundim të takimit, u vlerësua edhe hapja e Konsullatave të Nderit në të dy vendet si një hap i rëndësishëm për forcimin e marrëdhënieve dhe miqësisë mes dy popujve.