Publikuar Ne: 1 Prill 2014
186 shikime
AKTUALITET / Lajmet e fundit / OPINION | By albaniaplus

Me zorrët e tua ata bënë lidhëse këpucësh

bledi maneBledi Mane

Merre, lexoje, lexoje këtë letër malaka! E shkruajta gjithë natën. Pa gjumë mbeta duke vrarë mendjen sesi t’u vras edhe ju të gjithëve. T’ju zhduk se më zhdukët çdo qelizë njerëzore, çdo ind në trup ma tkurrët e ma tretët. Më mbyllët këtu në këtë qeli të qelbur qysh në ’97-n e m’i flakët çelsat në det. Kujtoni se unë jam i vetmi grabitës, i vetmi kriminel shqiptar në këtë tokë?

-Sa prej jush vidhni e vrisni çdo ditë në tokën tuaj, në tokën e Zeusit. Ju dëshpëroheni pse një shqiptar grabit atdheun e grekërve dhe mbyllni sytë e zinj pse grekër të poshtër si ju nxini një tokë kaq të bekuar e nuk nxiheni e as zverdheni prej mëkateve? Ju e degjeneruat vendin tuaj, por ka faj ajo Gjermania që ju dha bukë e para se do kishit ngordhur si qenër. Andej nga ne do vinit si në ’45-ën e do shkërdheheshit në bythë për një kothere misri. Ndaj do t’u vras të gjithëve siç vrau Zerva çamët e Parathinisë!-bërtita i zgajdur nga monologu dhe me grushtin mbështjellë letrën time godita derën e hekurt të qelisë.

Gardiani i turnit, që rrinte më vëzhgonte përmes dritares së vogël të derës, zgjati fytyrën e skuqur dhe më bëri me shenjë t’i afrohesha.

-Çfarë do o pusht i fëlliqur?-e pyeta me hakmarrjen që më kishte tjetërsuar 17 vjet rresht

-Ta çaj gojën, shqiptar i qelbur! Ta çaj gojën barktharë!-pëshpëriti vjedhurazi gardiani tek sytë e të cilit mbeti e u stampos urrejtja ime finale.

Nënqesha plot ironi, thirra në qiellzë sekrecionet e mushkërive dhe stomakut, i rrumbullakosa si një top lecke brenda gojës të gjitha bashkë dhe mes dritares katrore ku kishim puthitur fytyrat ia përplasa i ekzaltuar mbi surratin e zi pa ngjyrë.

Pëlltaq!-kërcitën gëlbazat e mia e iu varën nga vetullat e trasha drejt hundës deri poshtë në mjekër.

-Hahahahahahaha, qeshja i ngopur nga poshtërimi, ndërsa i ziu gardian i dhjerë nga akti, pastronte me shpejtësi fytyrën.

-Nuk ngopem, nuk ngopem me ju o plehra. Po dola një ditë jashtë këtij burgu, Promete do të bëhem dhe me zjarrin që do u vjedh pyjeve tuaja, nuk do u ndriçoj, por do u djeg të gjallë. Dua t’ju shfaros!!!

Ndërsa i vija vërdallë qelisë i gëzuar, ndjeva që dera e hekurt kërciti e u hap. Gardiani me fytyrën tashmë të pastruar u turr drejt meje si korbi kufomës dhe gjuante mbi kokën time me tufën e çelsave të rëndë lidhur pas dore. Për momentin e humba, por plani i përgatitur një natë më parë më feksi në kokë si rrufetë e gushtit. Goditja e radhës që më dha gardiani më shtriu mbi krevatin e vetëm të qelisë e më ndihmoi njëkohësisht. I shtrirë shakull mbi dyshekun kokallë prej mykjes, zgjata dorën poshtë tij dhe rrëmbeva me dorë thikën e mprehur enkas për këtë ditë. Vërtik kërceva nga krevati e me këmbët hapur i qëndroja si Gjigandi i Rodosit gardianit të tkurrur.

-Mossssss, mos gjuaj-klithi i trembur greku i vrenjtur e s’mundtte të lëvizte nga mpirja e frikës.

-Mossss, klithi së dyti dhe tufa me çelsa i ra në tokë.

Zhurma e tyre më shpërtheu brenda trurit dhe tek mendoja se ata çelsa më kishin kyçur nga ajri, nga familja, nga shokët, nga qejfet, nga e ardhmja u ndeza dyfish e u lëshova mbi prenë time pa më të voglin pishmanllëk. Gardiani nuk lëvizte, por zgurdullonte sytë. Unë si shigjetar iu vërsula atij plot mllef, inat, urrejtje… Nuk ishte më gardiani që më ironizonte gjatë turnit, gardiani që më shante racën. Ai u tjetërsua para syve të mi në grekun që s’më dha rrogën, në grekun që s’ma dha vajzën për nuse, në grekun që më shante origjinën, në grekun që më zinte në gojë bukën, në grekun që më etiketonte si turk musliman, në grekun që më tjetërsonte Skënderbeun, në grekun që natën e palloja dhe ditën më spiunonte në polici, në grekun që më shkelte pasaportën…

Thikën e parë ia ngula në zemër dhe pa iu shterur currilat e gjakut të parë, goditjet e tjera ia dhashë lart e poshtë, majtas e djathtas në formën e kryqit, tek i cili bëjnë sikur besojnë plot hipokrizi materialiste.

Gjaku iu plas i pari mbi dysheme e mbi pellgun e kuq që zmadhohejtë u palos edhe gardiani. Dola jashtë qelisë në korridorin e heshtur të sektorit dhe me duart hapur anash ecja dhe bërtisja:

-E vrava! E vrava me duart e mia, e vrava me thikën që shokët e tij ma futën fshehurazi në qeli. E vrava! Një grek më pak, një kënaqësi më shumë për mua fukarian shqiptar të mykur e të tharë nga izolimi i vetmuar. E vravaaaaaaaaaaa…

 

2./

-Dua pak ujë!-kërkova sa hapa sytë. Një tavan tjetër vizatohej sipër fytyrës time.

-Ku jam? Di greqisht ti? Ka ardhë plaka ime në takim?-pyesja pa rreshtur fytyrën që vinte vërdallë meje. Mesoburri nuk reagonte, por herë-herë më ngultte sytë e shikonte plot fodullëk e ankth në pritje të diçkaje.

-Ku jam, më jep pak ujë?-pyesja, por heshtja përplaste zërin tim nëpër katër muret e bardhë.

-Grek je, ku jam unë?-pyeta sërish dhe bëra të çohem.

-Ooooo, ooooo-klithmat që dolën nga shpirti kërcitën kafazin e kraharorit dhe ndjeva që mushkëritë m’u ngushtuan si hinkë.

-Ooo…-klithma e tretë u përgjysmua. Nëpër kapërcyellin e fytit ndjeva të kullonte një pelte e rëndë, e nxehtë e teksa i afrohej gojës një pjesë tjetër prej saj nxitoi drejt mukozave të hundës. U mpiks aty dhe nuk linte që ajri i plogësht i marsit të depërtonte. Të njëjtën gjë bëri dhe masa e kuqe në gojë. Sytë donin të zëvendësonin gojën për të folur e po më çapleheshin duke kërkuar ndihmë. Fytyra e atij burri ashtu si tavani që më rrinin mbi kokë folën njëkohësisht:

-Paske shpirt maceje o shqiptar i ndyrë kokëgdhë!

Qepallat e syve m’u rënduan, por nuk mundesha dot t’i komandoja. Qafa m’u var nga krahu i kundërt i grekut të fundit që po shikoja. E ndjeja që po vdisja. Po vdisja i nxirë nga dhimbja, i nxirë dhe nga turpi. I nxirë nga turpi se po vdisja në sytë e një greku…

 

3./

Në përfundim të eliminatoreve të Kampionatit Ballkanik të allishverisheve nacionaliste, ndeshja e rradhës Greqi-Shqipëri përfundoi me rezultatin e barabartë 1-1 (një me një). Faleminderit për vëmendjen tifozëve të të dy kampeve kundërshtare. Mirëutakofshim në duelet e rradhës. Kali nihta zonja dhe zotërinj!

fb.com/bledi.mane

twitter.com/blediMANE

 

187 shikime 1 sote

About the Author

albaniaplus -

Komentoni

XHTML: Mund te perdorni keto html tags: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

We use cookies to ensure that we give you the best experience on our website.
Ok