Publikuar Ne: 27 Janar 2014
174 shikime
AKTUALITET / INTERVISTA / Lajmet e fundit | By albaniaplus

Malaj: Rama po bën lëvizjet e duhura

Arben Malaj ABC_1Arben Malaj, një nga kritikët e Ramës në PS, në këtë intervistë shpreh hapur mbështetjen për vendimet e deritanishme të kreut të ekzekutivit, sidomos në ekonomi. Malaj pranon që përgjigjet e kryeministrit Rama, për situatën e vështirë të trashëguar ekonomike, janë të duhurat dhe këtu përfshin marrëveshjen me FMN-në, paketën e re fiskale që shoqëron këtë marrëveshje si dhe vendimin për të shlyer së pari borxhet e prapambetura ndaj biznesit. Prof. Malaj sugjeron edhe rrugët se si vendi mund të mbërrijë më në fund në një pozicion ku nuk do ishte më nevoja për të riparë politikat e taksave. Në këtë intervistë, ai flet edhe për qëndrimet e fundit të deputetëve me të cilët dikur krijoi LMN-në, si Blushi, Islami, etj., të cilët kritikojnë qeverinë socialiste. Në situata të tilla të rënda për vendin, duhet të ketë frymë ekipi dhe angazhim pozitiv – thotë Malaj. Më poshtë, intervista e plotë e Malajt për DITA.

Zoti Malaj tashmë raportet financiare për ekonominë shqiptare janë zbardhur në një farë mënyre dhe është pranuar fakti se vendi ynë po kalon një periudhë të vështirë pas një ish-qeverisje që ka lënë një situatë të rëndë pas largimit nga pushteti. Qeveria Rama iu përgjigj kësaj situate të trashëguar me një marrëveshje me FMN dhe institucionet financiare ndërkombëtare. Ju si e shihni situatën ekonomike dhe a është kjo që zgjodhi Rama rruga e duhur sipas jush?

Kjo është një nga situatat më të vështira që po kalon vendi. Ajo lexohet qartë në rënien disa vjeçare të rritjes ekonomike, në rritjen e deficitit dhe të borxhit publik deri në kufijtë kritikë. Konstatohet në nivelet e papunësisë dhe varfërisë. Vendi kishte nevojë për ndërhyrje të shpejtë në ndalimin e përkeqësimit të situatës buxhetore. Hapi i parë në këto raste është rikthimi i kredibilitetit të humbur. Marrëveshja me FMN dhe institucionet financiare ndërkombëtare ishte rruga më e mirë dhe ndoshta me efektin më të shpejtë. Kjo, jo për shumën që do të japin, por për shpresën dhe besimin që mund të krijojnë tek investitorët potencialë, tek institucionet mbështetëse me projekte zhvillimi dhe tek tregjet e kapitaleve që financojnë investitorët privatë.

 

Kjo marrëveshje u shoqërua gjithashtu me ndryshime të rëndësishme fiskale që kanë të bëjnë kryesisht me rritje taksash për biznesin, por dhe për konsumatorin. Kjo paketë fiskale, a ishte veprim i drejtë sipas jush, apo kërkohej një administrim më i mirë i tatimeve, pra të kishte një dorë të fortë në menaxhimin e të ardhurave?

Përderisa situata po përkeqësohej me shpejtësi, vendit dhe jo thjesht qeverisë, i duhej marrëveshje dhe bashkëpunim me FMN, BB dhe institucione të tjera financiare. Kjo kushtëzohej edhe nga paketa fiskale që si qëllim kryesor kishte ndaljen e përkeqësimit të stabilitetit të financave publike, jo si qëllim në vetvete, por si faktor që dëmton rritjen ekonomike. Suksesi i reformave të qeverisë për një rritje më të lartë ekonomike, përfshin edhe stabilitetin e financave publike.

 

Në cilën pikë, sipas jush, vendi do mbërrinte në një pozicion ku nuk do ishte më nevoja për të riparë politikat e taksave?

Disa reforma strukturore siç janë ajo e pronës, funksionimi i shtetit ligjor, tregu i punës, efikasiteti i administratës publike, mund të sjellin efekte më të qëndrueshme, të ndihmojnë rritjen ekonomike dhe të lehtësojnë stabilitetin e financave publike, pa u detyruar në mënyrë të përsëritur për të riparë politikat e taksave. Edhe mbledhja e të ardhurave këshillohet të bëhet pa dëmtuar burimet që i krijojnë ato, ndaj përmirësimi i administrimit fiskal është gjithmonë pjesë integrale dhe e rëndësishme e reformave të taksave. Në një këndvështrim afatmesëm dhe afatgjatë, duke zgjeruar bazën e tatimpaguesve dhe duke strukturuar më mirë sistemin tonë tatimor, ne duhet të rrisim të ardhurat buxhetore për të rritur cilësinë e funksioneve dhe shërbimeve publike, duke filluar me shëndetësinë, arsimin, infrastrukturën, zhvillimin e qëndrueshëm rural, ambjentin, etj. Një studim i kohëve të fundit i FMN-së vlerëson se vendi ynë është nën kapacitetin optimal të nivelit të taksave në raport me GDP-në. Kjo “rezervë” duhet synuar të arrihet, jo me sforco dhe jo në një periudhë afatshkurtër, por duke zgjeruar bazën e taksapaguesve, duke ulur informalitetin dhe duke përmirësuar administrimin fiskal.

 

rama malajNjë ndër problemet e mëdha të krijuara në tregun shqiptar është mungesa e likuiditetit për shkak të mos pagesës së biznesit për punët e kryera. Këto borxhe dhe pse të trashëguara janë njohur dhe do kthehen nga qeveria e re. Një nga mendimet e artikuluara është që ky borxh do të kthehet duke marrë borxh nga FMN. E ndani ju këtë opinion?

Mbështetja e FMN nuk do të jetë e adresuar drejtpërdrejtë tek shlyerja e borxheve ndaj biznesit, por tek lehtësimi i burimeve për financimin e buxhetit, i cili duhet të fillojë nga shlyerja e borxheve. Shlyerja e borxheve nuk duhet bërë e gjitha me një borxh të ri, por edhe nga investimet e vitit 2014, atë pjesë të tyre që përfaqësojnë projekte në vazhdim por të avancuara.

 

Ju e mbështesni vendimin e qeverisë për të paguar fillimisht detyrimet e prapambetura?

Zinxhiri i borxheve të këqija duhet ndërprerë sa më parë, duke paguar detyrimet e prapambetura dhe duke përmirësuar gjithë këtë proces që të mos krijojë probleme të tilla në të ardhmen. Mbështetja e FMN nuk duhet konvertuar thjesht në fondet që shoqërojnë programin tre vjeçar. Ky lehtësim i burimeve të financimit të buxhetit ku përfshihen edhe borxhet e trashëguara, duhet vlerësuar më shumë për kohën deri në 3 vjetë që krijoi në zbutjen e krizës së likuiditeteve, kohë e cila duhet përdorur me efikasitet dhe përgjegjësi maksimale për reformat strukturore në ekonomi, reforma që duke prodhuar rritje ekonomike më të larta, prodhojnë më shumë të ardhura buxhetore dhe më pak deficit dhe borxh.

 

Z.Malaj, parashikimet e rritjes ekonomike për vitin 2014 sipas Bankës Botërore shkojnë deri në 2 për qind. Është ky një lajm i mirë apo i pritshëm? Dhe a janë qeveria dhe ekspertët e saj të qartë për prioritetet dhe hapat konkrete në këtë pikë?

Parë në raport me situatën e krizës aktuale, 2% është më mirë se 1% dhe shumë më mirë se 0.5 ku rrezikohej ekonomia jonë. Parashikimi i BERZH për 1.7% duhet lexuar me kujdes. Në raport me rritjet që ka nevojë ekonomia jonë për të realizuar më mirë objektivat e saj sociale, uljen e papunësisë dhe varfërisë, si dhe për të plotësuar më mirë objektivat e saj fiskale, stabilitetin e financave publike, edhe niveli 2% është i ulët, edhe pse mund të jetë realist. Duhet të mos vonohemi për reformat që ndihmojnë të kemi një rritje më të lartë dhe një rritje me punësim. Qeveria dhe ekspertët janë të qartë për prioritetet dhe hapat konkrete. Sfida është cilësia e implementimit të tyre.

 

Si e parashikoni ju të ardhmen e ekonomisë shqiptare? Ka vend të përdoret fjalia “po realizohet skenari grek në Shqipëri”?

Jo. Ne duhet të vlerësojmë faktin që qeveria ka ndermarr disa reforma dhe që ajo arriti një marrëveshje me FMN, si hapi i parë për të ndalur përkeqësimin e mëtejshëm të krizës sonë. Është hap i nevojshëm por jo i mjaftueshëm, qeveria e ka të qartë se sa shumë të domosdoshme janë reformat dhe sa i rëndësishëm është krijimi i një ambjenti nxitës dhe mbështetës për çdo investitor potencial vendas dhe të huaj. Duhet mbështetur dhe nxitur konsumi dhe investimi privat, duhet krijuar më shumë akses për burime financimi, duhet ushqyer rritja ekonomike nga rritja e eksporteve, mundësisht të atyre eksporteve që krijojnë një vlerë të shtuar më të madhe në ekonominë tonë. Këto reforma dhe masa konkrete e bëjnë gjithnjë e më të largët skenarin grek për vendin tonë.

 

Zoti Malaj, dikur ju keni qenë pjesë e grupit të quajtur ‘Lëvizja për Mendimin Ndryshe në PS’. Duke parë rezultatet e asaj nisme, a jeni penduar që kini qenë pjesë e asaj lëvizjeje?

Kjo lëvizje në thelbin e saj kishte nxitjen e diskutimeve dhe angazhimeve për domosdoshmërinë e modernizimit të partive politike si parakusht për modernizimin e qeverisjes së vendit. Disa prej ideve të kësaj lëvizjeje i gjen të zbatuara dhe disa të përfshira në programe të partive të ndryshme politike. Kjo vërteton thelbin e saj kontribues.

 

Një nga politikanët e LMN-së është deputeti Ben Blushi, si i shikoni qëndrimet e tij të fundit kritike me qeverisjen e PS-së?

Në politikë fryma e ekipit dhe angazhimi pozitiv janë mundësitë më të mira për të maksimizuar kontributet. Frymën e ekipit dhe angazhimin pozitiv i kam vlerësuar si vlera të përhershme dhe parakushte jetike në plotësim të përgjegjësive kur ke peshën e mandatit të deputetit apo anëtarit të qeverise. Kur vendi kalon situata të vështira, kur ai përballet me krizat e thella financiare, me papunësinë dhe varfërinë, respektimi i këtyre parimeve bëhet më i domosdoshëm, dhe më i dobishëm.

 

Në LMN ishte edhe Kastriot Islami, tashmë deputet i PD. Si I konsideroni qëndrimet e tij dhe do te shkonit dhe ju vitin e kaluar në parti të tjera nëse do te kishit një vend te sigurt ne listën e deputetëve?

Nuk do të dëshiroja që ky debat të vazhdojë për disa nga ish kolegët tanë. Besoj që edhe për ata vetë nuk ka qenë një zgjidhje e lehtë. Personalisht, edhe pse pata ftesa nga parti politike të koalicionit të majtë dhe jashtë tij për të qenë në lista me “nivel sigurie”, ju përmbajta detyrimit dhe premtimit publik se mirënjohja dhe përkushtimi im janë të përhershëm dhe të pa kushtëzuara ndaj njerëzve të mrekullueshëm të PS. Koha tregon që nuk është vështirë të gjesh një vend të sigurt në listën e partive të tjera. Vend i sigurt që do të më pëlqente ta meritoja dhe për të cilin do të vazhdoj të përkushtohem, është mirënjohja e njerëzve të thjeshtë të vendit tim. Sa herë që më duhet të marr një vendim të rëndësishëm për angazhimet e mia publike, jo vetëm për ato politike, mbaj parasysh pikërisht ata.

 

Në pyetjen për qëndrimet e Blushit, apo kritikëve të tjerë së fundmi, pak më sipër ju thatë që ata duhet të kenë frymë ekipi dhe angazhim pozitiv, sidomos në situata kaq të vështira për gjithë vendin. Z. Malaj, sipas jush, çfarë duhet t’i karakterizojë zhvillimet brenda PS-së që ato të jenë kontribuese për suksesin e qeverisjes së PS-së?

Çdo diskutim dhe debat në PS, në funksion të suksesit të mandatit qeverisës të saj, duhet dëgjuar dhe respektuar. Format dhe rrugët për suksesin e qeverisjes janë të larmishme, e rëndësishme është që kontributet potenciale të bashkohen me përgjegjësitë për mirëqeverisjen e vendit. Duke ndjekur diskutimet aktuale në PS për zhvillimet brenda saj, bazuar në eksperiencat e kulturave politike bashkëkohore, zhvillimet brenda partive politike duhet të jenë në shërbim të sfidave të vendit, çka do të thotë që duhet mandatet partiake dhe cikli i zgjedhjeve në partitë politike duhet te vihen në funksion të cikleve dhe suksesit qeverisës të vendit. Kjo eleminon vendosjen e zhvillimeve partiake mbi ato qeverisëse. Partitë kërkojnë votën publike për të qeverisur. Ndoshta është një moment shumë i mirë që ky parim të qartësohet në dokumentet organizative të PS dhe të votohet në forumet e saj.

 

Një nga kritikat që i është bërë Kryeministrit Rama është emërimi i të rinjve në kabinet dhe në postet kyçe të administratës së shtetit. Disa e shohin këtë si “mënjanim i njerëzve me kontribute dhe me përvojë në PS”. Sa qëndrojnë sipas jush këto kritika?

Kolegët në forumet e PS i kanë diskutuar në momentin e vendim marrjes politike se kush do të ishte ekipi përfaqësues i PS, si në drejtimin e komisioneve parlamentare, ashtu dhe në përbërjen e qeverisë. Në momentet politike të krijimit dhe mandatimit të tyre kryesia e ka dhënë mirëbesimin për strukturën dhe përbërjen e qeverisë së re. Vendi, padyshim qe ka nevojë për të rinj edhe në mandate të larta politike ata duhen inspiruar dhe mbështetur. Disa prej atyre që konsiderohen të rinj, kanë qenë shumë më të rinj kur u angazhuan dhe u përkushtuan për sfidat e PS-së.

Kabinetet qeveritare nuk janë struktura fikse e të përhershme. Stabiliteti i ekipeve qeverisëse është i rëndësishëm. Një harmonizim më i mirë midis të rinjve dhe kolegëve me eksperiencë dhe kredibilitet publik në të tre mandatet përfaqësuese: parti, parlament dhe qeveri duhet parë si një proces dinamik. Është jetike jo vetëm për PS-në, por edhe për momentin kritik që kalon vendi, që këto diskutime të mos ushqejnë vatra mosbashkëpunimi, por të përmbushin sa më mirë si një ekip i plotë, shpresat dhe besimin e shqiptarëve.

 

Një pyetje të fundit profesor Malaj. Prej përfundimit të zgjedhjeve ju keni qëndruar larg politikës duke u marr me mësimdhënien, është kjo një tërheqje përfundimtare apo jeni duke pritur një ofertë për të dhënë kontributin tuaj në qeverisjen PS-LSI?

Gjatë dhe pas zgjedhjeve angazhimi im publik ka synuar të jetë aktiv në analizat dhe diskutimet për sfidat e vendit. Pas zgjedhjeve jam tërhequar nga përfaqësimi aktiv në strukturat e PS, por nuk jam tërhequr dhe nuk do të tërhiqem kurrë nga detyrimi për t`i shërbyer vetëm pozitivisht vendit tim. Nuk jam i trishtuar qe aktualisht nuk jam ne parlamentin e vendit, nuk jam i ngutur për tu rikthyer ne menyre te sforcuar. Prioriteti im tani është t`iu shërbej sa më mirë studentëve. Bazuar edhe ne eksperiencën personale politika nuk mund të jetë vendi i qejfmbetjeve, por një prej mundësive ku secili mund të afroj dhe maksimizojë kontributet dhe shërbimin e tij.

Gazeta “Dita”

175 shikime 1 sote

About the Author

albaniaplus -

Komentoni

XHTML: Mund te perdorni keto html tags: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

Optimization WordPress Plugins & Solutions by W3 EDGE
We use cookies to ensure that we give you the best experience on our website.
Ok