Kodheli: Reforma për lartësimin e figurës dhe integritetit të ushtarakut

57

Mimi-KodheliMinistrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, ka prezantuar sot objektivat e dikasterit që ajo drejton për vitin 2014. Kodheli deklaroi se, synohet që në qendër të këtyre reformave të jetë lartësimi i figurës dhe integritetit të ushtarakut nëpërmjet nje politike disa planëshe.

“Si asnjëherë më parë në qendër të këtyre reformave do të jetë lartësimi i figurës dhe integriteti i ushtarakut nëpërmjet politikave të nevojshme në fushën e personelit, legjislacionit, promovimit në karrierë, rritjen e transparencës, llogaridhënien dhe eliminimin e korrupsionit në forcat tona të armatosura. Gjithashtu duhet të bëhet rishikimi i strukturës së forcave tona të armatosura, me synim ndërtimin e një strukture organizative sa më efektive, më funksionale, të aftë për të zbatuar detyrat themelore të mbrojtjes së vendit në kuadër të mbrojtjes kolektive dhe në mbështetje të popullsisë civile dhe emergjenca; reforma ligjore ku në themel të së cilës do të jetë rishikimi i të gjitha akteve që rregullojnë veprimtarinë e forcave të armatosura; reforma e personelit, e cila në përputhje me rekomandimet e dokumentit të rishikimit strategjik të mbrojtjes të ketë parasysh të gjithë ciklin jetësor të personelit. Prioritet të jetë promovimi i personelit me kualifikimin dhe eksperiencën e duhur, integritet të plotë, dinjitet dhe përkushtim në kryerjen e detyrave të caktuara”, tha Kodheli.