Kodheli: Nuk do të largohem pa firmosur, ose pa propozuar, për gradim Gjeneral një grua

53

Mimi-KodheliSot paradite, në sallën e auditoriumit në Ministrinë e Mbrojtjes u zhvillua një ceremoni festive me rastin e 8 Marsit, Ditës Ndërkombëtare të Gruas. Në sallën e mbushur plot me gra dhe vajza që shërbejnë nën uniformë, por edhe si punonjëse civile në Forcat e Armatosura ishte krijuar një atmosferë mjaft festive dhe mbresëlënëse.

Akoma më të bukur dhe më festiv e bëri këtë aktivitet prania e ministres së Mbrojtjes, znj. Mimi Kodheli, shefit të Shtabit të Përgjithshëm të FA-së, gjeneralmajor Jeronim Bazo, drejtorë dhe ushtarakë të tjerë të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Shtabit të Përgjithshëm, si dhe e mjaft grave ish-ushtarake që kanë shërbyer prej vitesh strukturat e Forcave të Armatosura.

Pas fjalës së hapjes që mbajti kolonele Manushaqe Shehu, drejtore e Drejtorisë së Marrëdhënieve Civile-Ushtarake, gratë të pranishme në këtë ceremoni i përshëndeti ministrja e Mbrojtjes Kodheli. Në këtë takim festiv me gratë përshëndeti edhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm, gjeneralmajor Jeronim Bazo.

Në mbyllje të këtij aktiviteti, ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, i dhuroi buqeta me lule grave më të vjetra që kanë punuar dhe punojnë në Ministrinë e Mbrojtjes dhe Shtabin e Përgjithshëm.

Duke folur për rolin e zonjave në shoqëri, Kodheli tha se “Gratë munden”. “Sepse ne mundemi, sepse ne, me gjithë respektin për pjesën tjetër të shoqërisë, jemi pjesa më vitale, më besimplotë për të ardhmen e fëmijëve tanë. Po që ta bëjmë këtë që të ndodhë, ne duhet shumë më tepër se çfarë kemi bërë sot, të luftojmë, punojmë dhe të besojmë se Shqipëria e gjeneratës tjetër, është Shqipëria e gjeneratës që ne do të lëmë në duart e fëmijëve tanë. Këtë mund ta bëjnë të mundur dhe do ta bëjnë të mundur nënat shqiptare kudo që janë.

Për fat këtë vit, 8 Marsi qëllon në fundjavë dhe shpresoj shumë që kjo fundjavë të jetë jo fundjava e punëve dhe intensitetit të zakonshëm në shërbimin që ne i bëjmë familjarëve tanë, por në fakt të jetë një fundjavë më e gëzueshme pranë familjes apo pranë shoqërisë, por gjithsesi një festë për të gjithë ne.”, theksoi Kodheli.

“Kur m’u propozua fillimisht nga Kryeministri Rama, të bëhem ministre e Mbrojtjes, një nga gjërat që më shkoi ndër mend nga të parat ishte padyshim, përtej respektit, besimi që kishte treguar ndaj personit tim dhe barazia gjinore. Unë që nga shtatori i vitit të kaluar, kurse ju që prej shumë kohësh më parë, punojmë në fakt në një ambient, le ta themi, thellësisht mashkullor. Por përtej faktit se ku është një profesion “i shpikur për burra” dhe ku diskriminimi ndihet, kjo në asnjë moment të punës time, nuk e ka ndaluar entuziazmin tim për të besuar tek barazia gjinore edhe në një fushë siç është ajo e mbrojtjes”, garantoi Kodheli, raporton ATSH.

“Ndaj unë, shtoi ajo, në mënyrë të veçantë ju përgëzoj nga thellësia e zemrës, sepse e di që karriera juaj, rruga juaj, sidomos për zonjat që janë me uniformë, nuk ka qenë dhe nuk do të jetë e lehtë. Megjithatë ju përgëzoj juve vajzave dhe grave, plot 1100 të tilla, që në fakt aderoni në strukturat e FA dhe sot jeni më shumë se 10 % e të gjithë FA. E them shpesh herë me shaka, e ndaj edhe në formë “provokimi”me gjeneralët e nderuar, nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm dhe tek të gjithë drejtuesit, se nuk do të largohem pa firmosur, ose më mirë të them pa propozuar, për gradim gjeneral një grua. Ndoshta jemi pak larg këtij rrugëtimi, por unë ju siguroj se do të jem këtu për t’ia bërë më të lehtë çdonjërës prej jush rrugëtimin tuaj drejt rrugës profesionale, trajnimit tuaj, gradimit tuaj, pse jo edhe marrjes së yjeve të gjeneralit mbi supet tuaja të brishtë, por të fortë “, nënvizoi Kodheli.

Ministria e Mbrojtjes në fund tha se me shpresën se prezenca ime në përbërje të ministrave NATO-s, e ka rritur numrin e prezencës së grave në përgjithësi, sepse mbas emërimit tim, një zonjë e nderuar nga Norvegjia, pastaj një zonjë nga Gjermania e më tej një italiane, iu bashkuan klubit të grave ministre të Mbrojtjes. Unë besoj se shekulli në të cilin jetojmë, do të jetë shekulli i grave.