John Gotti jr: “Nën hijen e babait tim, bosi i bosave të mafias”

143

GOTTI RETRIALLINDA STASI , NEW YORK DAILY NEWS

Djali i kryemafiozit John Angelo Gotti-i vdekur tashmë, – i quajtur John Junior Gotti- rrëfehet për New York Daily News, se më në fund ai e mbaroi së shkruari librin “The Shadow of Father-në shqip -“Hija e Babait”. Ai e bëri këtë për të vënë kujtimet, gjërat dhe të vërtetën në vend dhe ndershmërisht. Për katër dekada me rradhë John Junior ka zgjedhur të heshtë e të mos flasë rreth bëmave të tij, babait dhe të familjes Gambino, ndaj mafiozëve të tjerë, po aq edhe ndaj gazetarëve, madje i urrente ata renegatët dallkaukë, të cilët jo vetëm iu kthyen krahët dhe ndërruan “xhaketat”, por trilluan lloj-lloj thashetheme dhe të pa vërteta rreth familjes së tij. John Junior Gotti, i biri i John Angelo Gotti-t, padrino i familjes së famshme mafioz Gambino në Nee York-un e sotëm,shpjegon edhe arsyen përse ai vendosi të shkruajë vetë librin e familjes Gotti, dhe ja si shprehet ai: Unë kam të drejtën ekskluzive të shkruaj historinë e familjes sime, dhe jo të tjerët. Jo më me gënjeshtra!

Shadow of my Father (Hija e Babai) titullohet libri i –John Junior Gotti, libër i cili do të ketë interes dhe vëmendje të jashtëzakonshme, do të dalë të hënën e ardhshme si një E-book, (libër elektronik) dhe është libri i tij i parë, i cili rrëfen historinë dhe “jetën” e familjes Gotti-dhe se si babai i tij dhe vetë ai u bënë – Kryemafiozi (mobster) i kohës në New York, dhe Kryetari Familjes mafioze nga më të famshmet në krime, Gambino, dhe si ai ia doli të shkëputej nga tradita e tyre. I biri i të ndjerit “Dapper Don”, John Angelo Gotti-t, -John Jr. në të ‘50-t, u shpreh se pavarësisht kundërshtimeve të nënës së tij, Victoria, ai vendosi ta shkruajë autobiografinë e familjes së tyre, duke i parë gjërat drejt e në sy dhe rrëfyer haptas e ndershmërisht, ashtu sikundër kanë ndodhur në realitet.

John Junior Gotti, i shkroi shënimet autobiografike, i detyruar ta bëjë këtë, jo vetëm për t’i vendosur pikat mbi “i” si djali i rritur nën hijen e babait, nga mob-i i mafias, John Angelo Gotti, por edhe për t’i hedhur poshtë thashethemet dhe përgojimin, për gati katër dekada rreth biografisë e bëmave të familjes së tyre, që përfshijnë atë edhe babain e tij. Kjo është historia e familjes së tij, që John Jr. Gotti, e pati menduar për ta shkruar që në momentin kur ai u lirua nga burgu, në vitin 2009-ëm. Por ishte vetëm një njeri i dashur i familjes, që e pengonte për ta bërë këtë. Dhe ajo ishte MATRIARKJA e familjes, nëna e tij, Victoria Gotti.“Privatësia e familjes sonë është shkelur, shumë më shumë se privatësia e familjeve të tjera të famshme mafioze, dhe kjo në sajë të egoizmit të babait dhe timit, por nuk mundem më të qëndroj në heshtje dhe në hije, ndërkohë edhe t’i lejoj të tjerët të përgojojnë dhe vazhdojnë të trillojnë. Ka ardhur koha që të “përvesh mëngët” dhe të bëj atë që është më e mira, e duhura dhe e drejta.”

“Ata (qeveria) do të ndjekin përsëri ty”, -e këshilloi ajo të birin.

“Ajo do të qante e këlthiste çdo mbrëmje,” risjell në kujtesë Gotti Jr. “Kështu që i thashë, e di mama, ti ke shumë të drejtë!”.

Por djali i mob-it Gotti, John Jr, në vetvete vazhdonte të këmbëngulte në planet e tij për të shkruar librin. Në vitin 2010-ën ai u takua me një botues që i ofroi atij për herë të parë shumën prej $ 750,000.

“Në vitin 2010, unë pata shkruar pjesë-pjesë, gati 375 faqe, dhe kisha edhe 70 faqe të tjera për të shkruar. Unë i kërkoj ndjesë gjithsecilit, ata të cilët unë i kam përfshirë në atë libër, por harmonia e familjes sime është më e rëndësishme se gjithçka tjetër”. Gotti Jr. ndryshoi mendje përsëri, për të mos e botuar librin, por ndërsa ai pushonte me familjen në gushtin e të kaluar, ai do të mësonte se tradhëtari i Gambinove, shqiptari John Alite po shkruante librin rreth familjes së tyre

“Mora vesh që ai mjeran i të gjithë mjeranëve,-John Alite –ky qen bir qeni- ai i pabukëti, që është ushqyer me mbeturinat e kockat e të tjerëve, ky njeri në bashkëpunim me një gazetar lokal mediokër, të shkruajë historinë e familjes tonë? -thotë Gotti Jr i habitur dhe i nervozuar. Familja Gambino ka pasur mbi 20 bashkëpunëtorë në 20 vitet e fundit, të gjithë të lidhur me mua në një sërë mori krimesh, por ata kurrë nuk më kanë implikuar mua për drogë apo vrasje, por ky renegat mjeran, jo vetëm që nuk ishte pjesë e asaj se çfarë ne ishim,-dhe arrin sot ky të shkruajë historinë tonë?? Ai ishte askushi! Nuk mundem ta besoj, që ai do të shkruajë historinë e familjes Gambino!”

I tërbuar dhe tejet i nevrikosur, Gotti Jr. shkoi t’i tregojë së ëmës, Victoria. “Në rast se ti nuk pranon ta bisedojmë përsëri këtë, të më lejosh për të botuar librin, atëherë mua më duhet të jetoj tërë jetën me këtë brengë e turp, -i tha ai i revoltuar asaj. Është zgjedhja jote, por njëkohësisht edhe detyra jote, që më kërkon mua të rri këtu dhe të hesht. Ndërsa t’i lejoj ata të më zhburrnojnë mua dhe babanë tim! Jo, Ma! Unë kam të drejtë dhe më takon mua të shkruaj historinë e familjes sonë!

Kështu Gotti Jr. punësoi një daktilografist dhe asistent juridik, të cilët punuan 16-18 orë në ditë. për ta hedhur në draft. Gotti Jr hodhi për tok% një mal me dokumenta, të cilat ai i nxorri nga 570 kutitë që i ruanin ato, dhe ishte gjithçka rreth familjes Gotti.

“Ishte një punë tejet voluminoze! Herkuliane! Libri i vet –botuar dhe i titulluar Shadow of my Father-(Hija e Babai)- me 586 faqe do të jetë i gatshëm në Amazon Kindle, ditën e hënë, më dt 25 Janar 2015, në orën 6 p.m.

-Pse e quani vet-botim?

“Sepse ajo është “prona ime më e çmuar” dhe askush nuk mund të më thotë mua se çfarë jam unë në gjendje të bëj dhe nuk mundem të bëj, -iu përgjigj Gotti Jr., pyetjes së mësipërme. Do Zoti të rroj edhe 20 vite të tjera, dhe do të vazhdoj të shkruaj akoma më shumë duke rrëfyer të tjera gjëra, që nuk i kam thënë më parë. Ndoshta ndonjë shtëpi botuese tradicionale do të shfaqet e ta botojnë atë, por ajo ç’ka është botuar elektronike, është e gjitha e imja. Kurrë nuk do ta braktis atë (e ka fjalën për historinë e familjes së tij në libër).

Përgatiti: Raimonda Moisiu

****

Flatbed_2Historia mafiozit John Gotti, padrinoja i fundit i Cosa Nostra-s

Mafiozi i vetëm që fitoi simpatinë e medias dhe të publikut

Vetë agjentë të FBI-së do të deklaronin se, Gotti rrëshqiste si ngjalë, por edhe ai, Doni që kujdesej shumë për paraqitjen e tij të jashtme, nuk mund t’i shpëtonte drejtësisë. Më shumë se viktimë e përgjimeve të FBI-së, John Gotti, është konsideruar më tepër viktimë e ambicies së tij dhe obsesionit në rritje ndaj njerëzve që e rrethonin. Ai kishte një temperament violent, gjë që e afronte me shumë bosë të famshëm të mafies italo-amerikane, por nganjëherë temperamenti i tij e bënte që të mos kontrollonte fjalët e kjo dështoi se ishte fatale për karrierën e tij.

Salvatore Gravano, një ndër bashkëpunëtorët e vet më të ngushtë dhe në atë kohë “underboss” i familjes Gambino, nuk do t’i kishte dalë kundër nëse nuk do të dëgjonte se çfarë Gotti fliste për të në regjistrimet e FBI-së. Teoria përça e shkatërro e përdorur nga prokurorët e anti-mafias amerikane ku spikatin emrat e Rudolf Giulianit, prokuror i Përgjithshëm për Distriktin Jugor në New York në atë kohë dhe më pas kryebashkiak i NYC dhe kandidat republikan për president në vitin 2008. Gjithashtu, në atë grup dallohet edhe Michael Chertoff, që aktualisht është Sekretar për Sigurinë Kombëtare.

Problemi që bosi i familjes Gambino kishte krijuar, jo vetëm përmes trafiqeve të veta ilegale, por edhe përmes publicitetit në shtyp dhe më pas daljes në kopertinën e revistës “Times” angazhoi një grup të madh prokurorësh, ndër më të mirët për të shkatërruar një rrjet që po sfidonte sistemin e drejtësisë dhe po sillte kohën e Al Capones në mes të New York.

Personi që fitoi simpatinë e një pjese të publikut dhe urrejtjen e prokurorëve federalë dhe agjentëve të FBI-së ishte sërish një bir i një prej familjeve italo-amerikane. Prindërit e John Gottit ishin emigrantë të ndershëm që mundoheshin me të gjitha forcat të ndërtonin një të ardhme në SHBA.

John Gotti lindi në Bronx, NYC, më 27 Tetor të vitit 1940. Kur ai mbushi 12 vjeç, familja e tij u shpërngul në një lagje të vështirë në Brooklyn. Këtu Gotti mori rrugët dhe la shkollën kur ishte në klasë të tetë. Ishte kjo koha që Gotti nisi të lidhet me banda të ndryshme dhe të bëjë krime të vogla, duke u ngjitur lart në hierarkinë e botës së krimit. Në 1966, Gotti ishte lidhur me Familjen Gambino dhe detyra e tij për këtë familje ishte të rrëmbente kamionët me ngarkesë ose para, që vinin nga Aeroporti Kennedy. Për guximin dhe dedikimin që tregonte në këtë punë, ai u afrua shumë nga njeri prej numrave 2 të familjes Gambino, Aneillo Dellacroce dhe pas kësaj u duk qartë që, Gotti do të ecte në këtë grup të madh kriminal. Ai u arrestua në 1969 për rrëmbimin e një kamioni dhe u dënua vetëm me tre vjet burg.

Kur ai doli nga burgu, vazhdoi të njëjtën rrugë që kishte nisur, por në këtë kohë ai vendosi që të shtynte karrierën e tij më lart. Në 1973, Gotti mori përsipër të vrasë James McBratney, i cili ishte i lidhur me vrasjen e një nipi të bosit Carlo Gambino. I lidhur ose jo me vrasjen, Gambino mendonte se ai kishte gisht dhe Gotti duhej që ta zhdukte atë dhe ky i fundit ishte shumë i lumtur për ta bërë një gjë të tillë. Pas vrasjes, policia konkludoi se, Gotti e kishte kryer krimin, pasi kishin edhe dy dëshmitarë okularë, por në gjyq avokati i tij e menaxhoi shumë mirë situatën dhe shndërroi akuzën për vrasje me paramendim në vrasje të shkallës së dytë dhe ai u dënua vetëm me dy vjet burg.

Kur Gotti po kryente dënimin, bosi i familjes, Carlo Gambino, ishte i sëmurë në shtrat dhe kishte nisur të caktonte pasuesit e vet. Paul Castellano do të ishtë bosi i familjes mafioze që kryesonte të pesta familjet e mafies në Neë York. Gotti nuk u pajtua me një vendim të tillë, pasi ai dëshironte në këtë pozicion mbështetësin e tij Neil Dellacroce. Zemërimi i Gottit për një zgjedhje të tillë kurrë nuk do të shuhej, madje do të ishte kjo ndjenjë që do ta drejtonte atë drejt pushtetit.

Kur Gotti doli nga burgu, iu kthye sërish punëve të tij, por tashmë ai kontrollonte edhe shpërndarjen e drogës.

I zemëruar tashmë me Castellanon, Gotti do të përjetonte edhe një tragjedi familjare në vitin 1980, kur djali i tij, Frank, 12 vjeç në atë kohë, vdiq në një aksident. Ai ishte duke i dhënë biçikletës kur një nga banorët e lagjes doli nga një kthesë dhe në mënyrë shumë aksidentale e përplas Frankin e vogël dhe si shkak i përplasjes ai vdes.

Komshiu i Gottit u zhduk pa lënë gjurmë, madje edhe sot e kësaj dite nuk dihet se ku është trupi i tij dhe ditën që ai u zhduk, Gotti dhe bashkëshortja e tij ishin në Florida, kështu që askush nuk mund ta akuzonte atë për vrasje.

Edhe pse po ecte lart në hierarkinë e familjes Gambino, duke u graduar “capo” ai gjithnjë pa vetëm Neil Dellacroce si bosin legjitim të familjes. Nën mbështetjen e tij, Gotti vazhdoi që të kontrollonte tragtinë e narkotikëve. Castellano e dinte këtë dhe i kërkoi disa herë që të ndalte, madje ai tentoi që ta ç’gradonte apo deri edhe ta eliminonte Gottin, por ishte Dellacroce që gjithnjë dinte të vendoste paqen. Ndërkohë që nga ana tjetër, Gotti kërkonte që Dellacroce të ngrinte zërin, duke kërkuar pozicionin e tij si bos, por Dellacroce mundohej të mbante paqen dhe e këshillonte Gottin të qetësohej.

Në 1985 ngjarjet rrodhën drejt një pike të nxehtë, Castellano akuzohej përpara komisionit të antimafias ku prova të dala prej regjistrimeve nga përgjuesit e vendosur kudo, madje edhe në vilën e Castellanos, flisnin për trafik narkotikësh. Në këtë çështje ishin nën akuzë anëtarë të grupit që Gotti kryesonte. Pra, njëri duhej të eliminohej patjetër, pasi Castellano që i kishte kërkuar Gottit shpesh të ndalonte atë lloj trafiku, duke kërkuar që të nxirrte veten të larë do të shkarkonte çdo gjë mbi Gottin dhe njerëzit e tij. Ndërkohë që, Gotti nga ana tjetër po dyshonte se mos Castellano do të dorëzohej para presionit të FBI-së dhe mendonte se, Castellano ishte rreziku dhe duhej eliminuar me çdo kusht. Dellacroce ishte i vetmi që po mbante paqen në familje, duke qetësuar Gottin, dhe duke i kërkuar më tepër kohë Castellanos, por kur Dellacroce vdiq, në 1985 u duk qartë se përplasja mes Gottit dhe Castellanos, ishte pranë dhe Gotti godet i pari.

Pasi fitoi mbështetjen e krerëve të grupimeve të tjera të familjes Gambino, dhe në të njëjtën kohë, pasi mori edhe mbështetjen e tre prej katër familjeve të tjera mafioze në New York, Gotti, mblodhi një skuadër ekzekutimi dhe në 16 Dhjetor 1985 ai arrin që të vrasë Castellanon dhe zëvendësin e tij të ri Tommy Bilotti, përpara restorantit “Sparks Stake House” në Manhattan. Pas një aksioni të tillë, Gotti u bë bosi i ri i familjes Gambino.

Duke drejtuar familjen nga lokali i tij në Little Italy, Manhattan, Gotti tregoi bindshëm se, nuk ishte thjesht një gangster i nivelit të ulët, por një lider i vërtetë. Në gjyqet e shumta kundër tij ai kurrë nuk e përzuri median, por përkundrazi ai i donte ata. Ai e admironte jetën si gangster i famshëm. Ai pëlqente të dilte me një kostum 2000 dollarësh dhe të buzëqeshte përpara kamerave ose t’i jepte 100 dollarë një lypsi në rrugë.

Pasi fitoi shumë gjyqe (njëri madje falë një bakshishi që pagoi zëvendësi i tij Salvatore Gravano) ai u bë shumë i famshëm, madje në vitin 1986, ai doli në kopertinën e revistës “Time”. Ai ndjehej i pathyeshëm. Një Al Capone i ri.

Gjatë kohës që ai ishte në krye i kërkonte anëtarëve të tjerë të familjes që të mblidheshin së bashku dhe kur dikush e pyeti se mos një gjë e tillë mund të ngjallte dyshimet e policisë ai u përgjigj se nuk merakosej shumë për të. “Pse të kemi frikë? Jemi disa italianë që mblidhemi së bashku, është tradita jonë…”, u përgjigj Gotti.

Pas shumë vitesh përgjimesh, policia federale arriti që të vendoste përgjues në të gjithë lokalin e John Gottit, dhe pasi kishin shumë biseda u hodhën në sulmin final. Kur Gravano, zëvendësi i Gottit, dëgjoi bisedat që FBI ia serviri atij, dëgjoi edhe gjuhën e ligë dhe arrogante që Gotti përdorte pas shpinës dhe u ndje i kërcënuar. Për të mbrojtur veten Salvatore (Sammy Bull) Gravano vendosi që të bashkëpunojë me drejtësinë. Pas dëshmisë së Gravanos, fotove dhe përgjimeve fati i Gottit ishte shënuar. Në 2 Prill 1992 Gotti u dënua me burgim të përjetshëm për akuza të ndryshme ku përmblidheshin edhe pesë vrasje. Burgu ishte shumë i vështirë. Gotti kaloi më shumë se nëntë vjet në një burg të sigurisë së lartë ku duhej të rrije i mbyllur 23 orë në ditë. Si për ta bërë jetën e tij edhe më të rëndë, ai u sëmur me kancer. Megjithatë, ai vazhdoi të luftonte edhe kundër kancerit, kundër sistemit dhe policisë federale, pasi ai kurrë nuk dorëzohej.

*Tirana Observer