Jahjaga: Kosova, shtet i të gjithë qytetarëve

58

jahjagaPresidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga takoi sot një grup të deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës, të udhëhequr nga Petar Miletiç, nënkryetar i Kuvendit.
Presidentja e Kosovës i mori në konsideratë çështjet që i parashtruan deputetët për të drejtat e liritë e komuniteteve etnike në Kosovë, të garantuara me Kushtetutën dhe ligjet e vendit.
Presidentja Jahjaga i siguroi deputetët se do të vazhdojë të jetë mbështetëse e promovuese e vlerave të ngërthyera në Kushtetutën e vendit, e respektimit të plotë të kushtetutshmërisë dhe të ligjshmërisë dhe e realizimit të plotë të të drejtave individuale dhe kolektive të të gjithë qytetarëve, pa dallim të përkatësisë etnike, fetare dhe pavarësisht numrit të tyre.
Republika e Kosovës është shtet i të gjithë qytetarëve të saj dhe vetëm së bashku mund të ndërtojmë një të ardhme prosperuese për të gjithë, u shpreh ajo.
Presidentja Jahjaga iu tha deputetëve se do të vazhdojë të përfaqësojë unitetin politik, në bashkëveprim të institucioneve të Republikës së Kosovës dhe i inkurajoi ata që të vazhdojnë konsultimet dhe të harmonizojnë qëndrimet me grupet parlamentare për të arritur zgjidhje të pranueshme, që avancojnë proceset demokratike dhe përparojnë të drejtat e komuniteteve.