Itali, Shqiptari plagos vjehrrën dhe kunatin natën e Vitit të Ri

55

policia italianeNjë shtetas shqiptar është shpallur në kërkim nga policia italiane, pasi akuzohet se ka plagosur ish vjehrrën e tij dhe ish kunatin natën e nderrimit të viteve.

Ngjarja ka ndodhur në Dello, një komunë e vogël në Brescia dhe autor është një 43-vjeçar shqiptar. Policia bën të ditur se shkak për incidentin ka qenë divorci mes 43-vjeçarit dhe bashkëshortes së tij. Mësohet se gjatë mbrëmjes së ndërrimit të viteve, në banesën e familjarëve të ish-bashkëshortes së autorit në rrugën Mameli ishin mbledhur rreth 10 persona për të festuar Vitin e Ri. Por, papritur është shfaqur 43-vjeçari, i cili pasi ka debatuar me ish-vjehrrën ka nxjerrë një pistoletë nga xhepi dhe e ka qëlluar në drejtim të tyre. Plumbat kanë prekur ish-vjehrrën, 64 vjeç në këmbë, ndërsa një plumb tjetër ka goditur ish kunatin 33 vjeç në gjoks.

Menjëherë pas krimit autori është larguar me makinën e tij në drejtim të paditur. Policia ka nisur kërkimet për arrestimin e tij. Policia thotë se 43 vjeçari nuk pranonte lehtë ndarjen  me bashkëshorten e tij.  Të plagosurit janë dërguar në spitalin e Brescias ku dhe po marrin mjekimin. Sipas mjekëve gjendja më e rëndë është ajo e 33 vjeçarit i cili ka plagë në gjoks. Ky i fundit i është nënshtruar dhe një ndërhyrjeje kirurgjikale.