Irlanda pro statusit për Shqipërinë

53

big_bushati_-_irlanedziMinistri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati priti në një takim Ministrin e Çështjeve Evropiane të Irlandës, Paschal Donohoe.

Ministri Bushati shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Irlandës në procesin e integrimit evropian të Shqipërisë, duke falënderuar në këtë kontekst nënshkrimin nga Ministri i Jashtëm irlandez, z. Gilmore, të letrës së 8 Ministrave të Jashtëm në mbështetje të dhënies së statusit të vendit kandidat Shqipërisë në dhjetor të vitit të kaluar.

Gjithashtu, Ministri Bushati theksoi se procesi i integrimit evropian të Shqipërisë mbetet prioriteti kyç i Qeverisë shqiptare dhe në këtë kuadër e siguroi Ministrin Donohoe për angazhimin maksimal në vijimin e zbatimit të reformave, duke shprehur besimin në marrjen e statusit të vendit kandidat në muajin qershor.

Ministri irlandez Donohoe vlerësoi ecurinë pozitive të reformave në Shqipëri dhe masat e ndërmarra nga Qeveria shqiptare në kuadër të luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, sikurse shprehu edhe njëherë mbështetjen e Irlandës për dhënien e statusit të vendit kandidat.

Gjithashtu, dy Ministrat shprehën vlerësime për marrëdhëniet shumë të mira mes dy vendeve dhe në kuadrin e thellimit të bashkëpunimit u ra dakord për gjetjen e rrugëve për dhënien e asistencës teknike të Irlandës, lidhur me procesin e integrimit evropian të Shqipërisë.

Ministrat shkëmbyen mendime mbi rajonin dhe në këtë kuadër u vlerësua politika konstruktive e Shqipërisë.