Igli Totozani merr titullin “Romanipe Honoris Causa”

96

Igli-Totozani-Deklarate-NOAInstituti i Kulturës Rome, i ka dorëzuar  sot Avokatit të Popullit, Igli Totozani titullin “Romanipe Honoris Causa”, duke e njohur atë si një anëtar nderi i komunitetit rom dhe si Amaro Avokat –i Ko Sundal (Avokati Ynë në Botë) për vlerësimin e pa masë dhe mbështetjen e ndjerë me zemër ndaj popullit rom.

Titulli i është dorëzuar nga Drejtori Ekzekutiv i Institutit të Kulturës Rome IRCA Bledar Taho gjatë një ceremonie të zhvilluar të premten në ambjentet e Avokatit të Popullit ku ishin të pranishëm përfaqësues të komunitetit rom ,  ambasadori i OSBE-së në Tiranë Florian Rauning, përfaqësues të shoqërisë civile etj.

Instituti i Kulturës Rome, ka vlerësuar aktivitetin dhe kontributin e Avokatit të Popullit Igli Totozani, jo vetëm për sensibilizimin e cështjes rome, por edhe për nismat institucionale për të rekomanduar dhe hartuar amendamente ligjore që kontribuojnë në zgjidhjen e problemeve të këtij komuniteti si rregjistrimi, ndihma ekonomike, transferimit të vendbanimeve dhe strehimit social.

Në fjalën e tij, Avokati i Popullit Igli Totozani tha se “mbështetja e njerëzve thjeshtë është shtylla ku mbahet fort në punën e përditshme  dhe se pa këtë mbështetje do të ishtë shumë ë vështirë puna në një vend si Shqipëria”.

Gjithashtu, Totozani theksoi faktin se “cështja rome është një nga temat më të dashura për të dhe se ky titull është një inkurajim dhe shtysë më tepër për të vazhduar përpara në zgjidhjen e problemeve dhe shqetësimeve të komunitetit rom”.

“Kemi zgjuar shpresën dhe optimizmin por mbetet ende shumë për të bërë në zgjidhjen e problemeve të komunitetit rom”,  theksoi Avokati i Popullit, Igli Totozani.

Romanipe, përfaqëson shpirtin dhe përkatësinë rome. Ky titull për herë të parë i është dorëzuar ish-ambasadores së Zvicrës në Shqipëri znj.Ivana Enzler.

Gjatë ceremonisë u shfaq dhe një dokumentar rreth kontributit dhe veprimtarisë së Avokatit të Popullit për kauzën rome