“Hajdutëri kolektive në energji”

42

Rama-projekti Vlore 2“Si një hajdutëri kolektive, e cila duhet të marrë fund”, kështu e ka cilësuar Kryeministri Edi Rama situatën me arkëtimet e energjisë elektrike në mbledhjen e parë të Task Forcës, e cila synon dhënien fund të kësaj situate, ku 88% e kontratave të bizneseve dhe 91% e atyre familjare rezultojnë me borxhe ndaj kompanisë së shpërndarjes, tashmë nën administrim shtetëror. 

“Praktika se kush nuk paguan, mund të vjedhë gjithmonë e më shumë, duhet dhe do të marrë fund. Do ta fillojmë në dy nivele paralelisht, në nivelin e raporteve mes institucioneve buxhetore dhe publike, me sistemin e shpërndarjes dhe paralelisht në raportin mes biznesit dhe sistemit të shpërndarjes. Nuk do ta fillojmë, se do të ishte padrejtësi e madhe drejtpërdrejt, aty ku problem është mospagesa e atyre që janë në gjendje të vështirë ekonomike”, tha Rama.

Nisjen nga puna të kësaj Task Force, e cila drejtohet nga zëvendëskryeministri Niko Peleshi, Kryeministri Rama e quajti si fillimin e ndërtimit të një muri përgjegjshmërie me bashkëveprim të ngushtë me Prokurorinë e Përgjithshme dhe gjyqësorin.

Ky ishte apeli zotit Rama për qytetarët: “Secili të paguajë për atë energji që konsumon dhe jo ata që paguajnë të mbingarkohen me fatura që nuk ju takojnë dhe ata që nuk paguajnë të bëjnë çfarë duan në kurriz të të parëve. Kjo është sfida dhe këtë sfidë ne duhet dhe do ta fitojmë në një aleancë të fortë me të gjithë qytetarët e interesuar për të pasur nesër një energji me të lirë, me të gjithë sipërmarrësit e interesuar për një energji më të lirë dhe energjia mund të jetë më e lirë vetëm nëse paguajnë të gjithë dhe nëse secili paguan atë që merr dhe jo atë që nuk merr”.

Damian Gjiknuri, ministër i Energjisë dhe Industrisë paralajmëroi se “nëse s’e realizojmë këtë qëllim do të jetë dështim për ekonominë tone, pasi humbjet deri tani jane 140 milionë euro’. Gjiknuri ngriti shqetësimin se bizneset e paguajnë energjinë sikur të jenë abonentë familjarë ndërkohë që kallëzohen në prokurori vetëm të varfrit nëpër fshatra, ndërsa për bizneset nuk ka asnjë procedim.

“Për vitin 2013,- tha zëvëndëskryeministri Niko Peleshi, – humbjet në sistemin e energjisë elektrike, kanë arritur 45% të sasisë së energjisë të futur në rrjetet e operatorit të shpërndarjes, ndërsa 30% e energjisë në Shqipëri vidhet”.

“Niveli i ulët i arkëtimeve për atë pjesë të energjisë që nuk vidhet është një tjetër element i rëndësishëm i punës që na pret”, theksoi Peleshi, i cili së bashku me kryeprokuronin Llalla firmosën njërin prej tre memorandumeve të bashkëpuninit. Ndërsa dy të tjerët morën firmat e ministrave Tahiri, Naço dhe Gjiknuri./tch