Ganaj: KLD, asnjë masë ndaj zyrtarëve që kanë fshehur pasurinë

57

komisioni-ligjeve-xhafajKryetari i Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, Shkëlqim Ganaj, tha sot në Komisionin e Ligjeve, se Këshilli i Lartë i Drejtësisë (KLD) ka pasur në shqyrtim raste të rënda për fshehje pasurie dhe konflikt interesi nga zyrtarë të lartë, por deri më sot nuk ka marrë asnjë masë disiplinore ndaj tyre.
Gjatë një seancë dëgjimore në komision, lidhur me shqetësimet e ngritura në progres raportin e KE-së për Shqipërinë, Ganaj tha se vetëm në 7 muajt e fundit ILDKP ka adresuar 70 kallëzime penale në prokurori, një shifër kjo shumë e lartë, pasi vetëm në dhjetë vitet e fundit, të marra së bashku, numri i kallëzimeve është vetëm 55.
Kreu i ILDKP-së nënvizoi se nuk janë rritur vetem kallëzimet ndaj zyrtarëve, për fshehje pasurie, por dhe cilësia e tyre, pasi bëhet fjalë për funksionare të larte, si ambasadorë, gjyqtarë, prokurorë. Rrezja e kallëzimeve, sipas tij, ka prekur thuajse gjithë spektrin e zyrtarëve që e kanë detyrim deklarimin e pasurisë.
Kryeinspektori Ganaj u ndal tek një rekomandim i rëndësishëm i progres raportit, që është nënshkrimi i memorandumit të bashkëpunimit mes ILDKP-së dhe KLD-së, një dokument ende i pakonkretizuar mes dy institucioneve. Shpresoj, tha ai, që me vajtjen e drejtuesve të rinj në KLD do të gjejmë mirëkuptimin për ta realizuar kete brenda një kohe sa më të shkurtër.
Ganaj tha gjithashtu se nga 1 marsi deri më sot kanë kaluar për kontroll të plotë të pasurisë 1400 zyrtarë, ndërkohë që mesatarja e dhjetë viteve të kaluara ka qënë 300-350 zyrtarë, ndërsa sot është katërfishuar dhe në vitin 2015 do të pesëfishohet. Me këtë ritëm, tha ai, do të ecet dhe në pesë vitet e ardhshme, sepse nga 12 mijë zyrtarë që deklarojnë pasurinë, nga viti 2003 e deri më sot janë kontrolluar vetëm 3 mijë prej tyre, ndërsa 70% figurojnë të pakontrolluar asnjëherë në këto dhjetë vjet.
Ganaj tha se deri tani janë 300 zyrtarët e ndëshkuar me masa administrative, të gjobitur në masën e 1 milion lekëve. Jemi në diskutim për ta rritur kete shifer pasi është shumë e ulët, shtoi kreu i ILDKP-së.