Dialogu Kosovë-Serbi pas fitores së Vuçiç

56

serbikosoveAnalistët politikë në Prishtinë vlerësojnë se ndryshimet politike në Serbi mund të ndikojnë në dinamikë, por jo të ndalin procesin e dialogut dhe normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën. Sipas tyre, normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën, përbën një nga kushtet e Brukselit për anëtarësimin e Serbisë në Bashkimin Evropian.

Sipas Naim Rashitit, një analisti nga Grupi Ballkanik për Politikat kryeministri i ardhshëm, Aleksandar Vuçiç, ka qenë më hezitues në raport me dialogun me Prishtinën zyrtare krahasuar me kryeministrin e deritashëm Ivica Daçiç. Mirëpo, ai nuk sheh shumë alternativa as për Vuçiçin, përveç vazhdimit të bisedimeve. Nëse Vuçiç dhe Partia Përparimtare vendosin të krijojnë koalicion, ai nuk e përjashton si mundësi që të ngarkohet ish-presidenti Boris Tadiç për procesin e negociatave me Kosovën.

Ndërkohë, edhe analisti tjetër, Ardian Arifaj parashikon që vazhdimi i bisedimeve sipas axhendës evropiane për normalizimin e raporteve Prishtinë – Beograd do të vazhdojë edhe pas zgjedhjeve të Serbisë dhe zgjedhjeve që priten në Kosovë. Një refleksion i ndryshimeve politike në Serbi në raport me bisedimet e Brukselit, sipas tij, mund të jetë shtimi i rezervave të Partisë Përparimtare Serbe të Vuçiçit në raport me implementimin e disa arritjeve të procesit negociues me Prishtinën.

Bazuar në axhendën e përcaktuar nga Brukseli, analistët politikë, presin që Prishtina dhe Beogradi të vazhdojnë negociatat për normalizim deri në momentin kur do të krijohen kushtet edhe për anëtarësimin e njërës apo dyja shteteve për integrimin të plotë në BE.  Kjo periudhë mendohet të jetë pas vitit 2020, kur Serbia dhe Kosova do të duhet të tejkalojnë mosnjohjet reciproke nëse duan të bëhen anëtare të Bashkimit Evropian.