“Dashuria e përfolur e “…Mimozës” së Jorgaqit.

139

dashuria e mimozesEsse-analizë rreth romanit të ribotuar, “Dashuria e Mimozës” e Nasho Jorgaqit

Raimonda MOISIU

Takimi me Shkrimtarin Nasho Jorgaqi ka ndodhur krejt rastësisht në rininë time të herëshme, “një bashkëbisedim intim” vecmas nëpërmjet prozës së tij, romane e tregime, marrëdhënie polimorfike kjo, që merr këndvështrime të ndryshme duke kombinuar vecmas njerëzoren e të paimagjinueshmen, të cilën e hasim mes të bukurës, trishtimit e dashurisë, në realitetin e së përditshmes. Në vitet në vazhdim, do të njiheshim edhe fizikisht, ai pedagogu im dhe unë studentja e tij, por unë vazhdoja ta ruaja me delikatesë e fanatizëm, atë “bashkëbisedimin tim intim”, të cilin e përmenda më lart, në udhëtimin e tij krijues shumë dimensional, mjeshtër i rrëfimit dhe studimit, vjershëtor, tregimtar, novelist, romancier, eseist, biograf, i talentuar dhe i paepur, midis të mundshmes dhe të pamundshmes. Veprat e tij karakterizohen nga lirizmi dhe shpalosja e ndjenjave të holla njerëzore brenda një kornize përgjithësisht reale, deri te Kryevepra, me të cilën ai arriti kulmin në fushën e letërsisë dokumentare, – me veprën -“ Jeta e Fan S. Nolit”. Nasho Jorgaqi konsiderohet sot për sot, një prej shkrimtarëve më të rëndësishëm, që i përket epokës së historisë moderne, letërsisë së realizmit socialist dhe të letërsisë postkomuniste. Veprat e tij kanë një transformim krejt të natyrshëm e të motivuar ideo-artistikisht nën aureolën e integritetit profesional të gërshetimit mes letërsisë artistike dhe asaj dokumentare.

Dashuria e Mimozës”- titullohet romani i ribotuar rishtas nga shtëpia botuese “ELVE”, e shkrimtarit dhe studiuesit të njohur, Nasho Jorgaqi, të cilin unë pata kënaqësinë dhe fatin ta kem në bibliotekën time, me autografin e vetë autorit. Në fakt romani “Dashuria e Mimozës” ka njohur disa botime, para dhe pas viteve ‘90-të. Për herë të parë e kam lexuar kur isha në shkollën e mesme dhe e rilexova përsëri.

Teksa kaloja nga kapitulli në kapitull, me një arkitekturë të shumëtrajtëshme, -gati autobiografik “ i …një brezi plot ëndrra e dëshira fisnike, gjithë energji, me synime të guximëshme…”-shkruan autori në “Në vend të parathënies”, -kapituj, të cilët nuk janë vetëm thjesht të lidhur me personazhet e veprës, por edhe me lexuesin. Autori Jorgaqi zhbiron mjeshtërisht impulset universale të jetës së personazheve, botën e brendëshme dhe psikologjike të tyre, dhe me penelata të shpejta të ngjarjeve të vëna në rrjedhën e subjektit, na jep dualitetin e forcës shpërthyese të dëshirës dhe opinionit, drojës e guximit, dashurisë e dhimbjes, mallit e trishtimit, jep botën e ngushtë “të përligjur” me plogështinë e ideologjisë sunduese dhe etike të sistemit socialist, atyre viteve në të cilat shtrihet edhe fabula e romanit. Lëndimin dhe revoltën femërore ndaj inferioritetit të diktatit dhe frikës për të jetuar dhe dashuruar, përjetimin e këtij realiteti të rrëfyer nga autori me një aureolë emocionesh, të ndjeshme dhe emocionale, për të sfiduar nocionet tradicionale të formës e përmbajtjes dhe na përcjell mesazhet e realitetit e të përvojës.

Nëpërmjet rrëfimit në 28-të kapituj, ku cdo kapitull hapet me epigram, ndjehesh tejet i/e impresionuar shumë nga gjallëria e portretizimit të personazheve, ngjarjet, shëmbëlltyrat dhe ndjenjën e trishtimit, shpirtit rebel, ambientin e zymtë krijuar nga situata të paqëndrueshme në lidhje me konceptin e moralit social e politik. Agonia e heshtur e Mimozës së lënë pasdore nga pashmangshmëria e fatit dhe diktatit mizor të nënës dhe ambicjeve prej nëne, dilemës së babait dhe zgjedhjet që ata kanë bërë si prindër dhe zgjedhjet që janë bërë për ta, përpjekjet për ta bërë jetën e saj, në përputhje me ëndrrat e tyre, si zgjidhje për një jetë normale, ku morali krijohet nga sistemi shoqëror dhe përshtatur nga individi. Me zgjedhjet e tyre, ata e dinë shumë mirë, se jeta e tyre do të arrijë sëbashku në një pikë, edhe pse rruga e ndërmarrë për të arritur atje nuk është e lehtë, plotësisht e qartë dhe e sinqertë, që në fillim.

Autori Jorgaqi navigon shkëlqyeshëm dhe mjeshtërisht, rrëfime rrëzëllitëse me humanizëm dhe frymëzim, me kujdes, guxim dhe mahnitës. Brilant i fjalës dhe narracionit me pasazhe lirike, me telashe, me pengesa dhe me bukuri shpirtërore, autori bën transparencën e kronikave dhe përvojave jetësore, shpalos idetë nga një jetë njerëzore në tjetrën. Jorgaqi rrëfen një histori të thjeshtë në dukje, ku dëshira për një fund të lumtur e kthen në një dramë të jetës reale e fateve njerëzore, dhe secili prej tyre përfaqëson identitetin e kohës që jetonin, padobishmërinë e atij sistemi, të marra së bashku me realitetin dhe pashmangshmërinë e tij, plogështinë femërore dhe pafajasinë e Mimozës, mes dhimbjes e dashurisë të mbrujtur me humorin e vecantë të absurdes, në të njëjtën kohë. Ngjarja zhvillohet në kryeqytet dhe personazhi kryesor është Mimoza, një vajzë e bukur dhe tejet modeste, maturante e shkollës pedagogjike, sa e dashur aq edhe e pafajshme, sa naïve aq edhe e ëmbël, sa e ndrojtur aq edhe e sinqertë, që dëshiron të rrijë mes njerëzve, por edhe e vetmuar, për të qenë e sigurtë dhe e pavarur nga ambienti rrethues, e rritur dhe e edukuar në një familje të thjeshtë qytetare, vecmas nën diktatin e nënës së saj, durimit njerëzor, dashurisë dhe fisnikërisë në heshtje e të atit.

Mimoza, që i trëmbej shumë s’ëmës, me të dëgjuar zërin e njohur, kthehu kokën. Deshi t’i kërkonte falje dhe t’i jepte lajmin e emërimit, po Maria se la të fliste. Ajo e kishte marrë vesh më parë “mandatën”, ndaj i foli ashtu e zemëruar dhe vazhdoi e tronditur, sikur ligjëronte:-Të rroftë shkolla, të rroftë! Po ku të kanë syrgjynosur, moj e zezë, në fshat? Po pse të coj unë atje? Ja kështu të kthehet….-dhe, për t’i treguar zemërimin, mori e përmbysi para së bijës kanistrën me gjithë rroba.-Pse të rrita në mes të të mirave e të bëra kaq, që të më kalbesh fshatrave?!

Mimoza duke parë të ëmën të fryrë nga inati dhe të alarmuar, nuk guxoi të thoshte as edhe një fjalë. Mbeti si e ngrirë, me gojë të qepur me një këmbë në shkallën e parë dhe tjetrën në tokë. Ajo nuk u trondit aq shumë nga kanosja e s’ëmës, sesa nga frika se mos ajo kishte marrë vesh të vërtetën. Atëhere c’do të bënte Mimoza?! Kjo është njësoj si të të plasë në dorë e të mos mundesh të qëllosh…..”

Mimoza është krijesë e atributeve konservatore dhe kontradiktore, të bazuara në idenë e ndërgjegjes njerëzore individuale dhe marrëdhënieve të komplikuara të mentalitetit, me prindërit e saj, e privuar në mënyrë të vazhdueshme nga emocionet e saj shpirtërore, të lirisë së fjalës e veprimit, ëndrrat e dëshirat vajzërore, argëtimi dhe etja për jetën, punën, profesionin e mësueses dhe dashurinë. Duke pasur parasysh rrethanat familjare dhe personalitetin e nënës së saj, ekstrakte këto, – nga ato të konceptit filozofik, social e politik, sloganin e shpikur të moralit dhe mirëqënies, që përpiqej të shiste revolucioni social-kulturor në Shqipërinë socialiste, kolektive e të centralizuar dhe anti cdo gjëje të bukur e të paqtë, ndaj asaj, që ata e shihnin si fantazi borgjeze e të huaj, -metafora ogurzezë e esencës të atij sistemi dhe mentalitetit konservator të jetës. E brishtë dhe e maturuar, e revoltuar dhe e tronditur, e plogësht dhe e frikësuar, e prekur thëllë në shpirt dhe sedër, Mimoza ka një zemërim të heshtur, por të vet-përmbajtur dhe vet-kontrollues ndaj arrogancës të së ëmës, – “…dhe, për t’i treguar zemërimin, mori e përmbysi para së bijës kanistrën me gjithë rroba”!, -vetëm me këtë veprim, ajo nëna e saj do të thoshte shumë: i diktonte dhe i përcmonte lirinë! Dhe jo vetëm kaq! Por që nëna e saj “me kurajon e një fanatizmi dhe sedre “vet’ shkop, vet’ zot”, hidhet në sulm, fillimisht duke përdorur autoritetin e të shoqit, miqësinë, njohjet familjare me anë të një raporti mjekësor dhe më pas me “njeriun e pushtetit” që mendon se ai do të bëjë gjëra të mëdha, duke e dërguar Mimozën në Universitet dhe “ata”(prindërit) do t’i jenë mirënjohës për jetë, vecmas kur bëhët fjalë për vajzën e tyre.

Nevoja për të gjetur lloj –lloj forma përmes përfitimit moral e material të pazakontë e të zakontë, në gjendjen sociale dhe klasën sociale të kohës, – do të bënte gjithcka;-që Mimoza e saj , “të mos kalbej fshatrave”.

Mimoza tashmë; “ ….e ngrirë me gojë të qepur me një këmbë në shkallën e parë dhe tjetrën në tokë..!”-përshkrime të detajuara këto nga autori, për të treguar se Mimoza ndodhej midis apelit të guximit e mbijetesës, që duhet të merrte fatin e saj ndër duar, interpretuese e realitetit dhe dhimbjes njerëzore, aspektit intrigues të kontrastit midis asaj dhe nënës së saj, diktatit të prindërve; Mimozës që ka nevojë për liri dhe lumturi për të gëzuar pasionin e saj të mësueses, në kuptimin unik personal, dhe neglizhimit të plotë në përmbushjen e tyre nga mekanizmi i konceptit filozofik, social e politik, brenda kufijve të caktuar dhe ata (prindërit ), të jenë të lumtur për aq kohë sa është edhe “lumturia sociale”e shoqërisë, -si një tregues i vecantë. Se deri ku kanë shkuar ndjenjat dhe interesat e tyre, e bëjnë Mimozën të ndjehet si hibrid foragjer prej fanatizmit politik, që ka vrullin e vet dhe të propagandës të madhe sociale, historia e paaftësisë së individit, për të kontrolluar fatin e vet dhe të njerëzve që e rrethojnë në mesin e rrymave të forta të kohës, ideologjisë, partishmërisë dhe pushtetit. Mbrëmja e maturës kurorëzon diplomimin e Mimozës të shkollës së mesme. E teksa ajo qëndronte vetëm pas ceremonisë me drojën dhe ankthin e vazhdueshëm me sytë nga dera, në kërkim të daljes jashtë asaj salle, ku po e priste babai, dhe nënë Maria në shtëpi, një botë krejt tjetër brenda koshiencës dhe subkoshiencës njerëzore, të realitetit individual (të sajit) dhe atij kolektiv (të prindërve), brenda asaj bote ku ata kishin harruar e humbur vetveten, dhe pafuqisë së Mimozës për t’i rrëzuar tabutë dhe muret e padukëshme moralë e socialë brenda mendjes së tyre. Ndërsa, të gjithë të tjerët, shokët e shoqet e saj maturantë, brenda asaj sallë qeshnin, argëtoheshin dhe bënin fotot e castit, Mimoza i pëshpëriste shpirtit të saj të lirë e të drojtur nën zë-Unë dua të ndihem si Ju! Autori Jorgaqi duke kërkuar më thellë në procesin filozofik njerëzor, si një “piktor shpirtëror” me inteligjencë e përshkrime të papërsëritëshme nga eleganca dhe thjeshtësia, ai kontrollon mjeshtërisht rrëfimin, duke na dhënë përzierjen e absurdes, tragjedinë e thyerjes se brezave me farsën e kompleksitetit moral, social e konservator, dhimbjes e dashurisë njerëzore, protesta ndaj ndjenjës së pafuqisë, që ka përballë fatin njerëzor të sajin, me grafikën e kohës e hapësirës, shenjtërinë e shpirtit të lirë në udhëtimin e trishtë e të lumtur të jetës.

Ngjarjet tashmë zhvendosen dhe ofrojnë një objektiv më të lehtë për tu kuptuar dhe të admirueshëm nga lexuesi; Mimoza do të ndjekë Universitetin e Tiranës, në vjeshtë, dega gjuhë-letërsi. Një vajzë e ndrojtur dhe e heshtur, e vetme dhe tepër e bukur, kokëulur, ajo hyn në auditor e ndjekur nga vështrimi i të gjithë studentëve të tjerë, dhe ulet në bangën e fundit. Autori Jorgaqi arrin të na japë atë që në dukje duket e pamundur; Mimoza hyn në luftë me veten, për ta rigjetur atë –ose dalja jashtë vetes, që përfshin pothuajse cdo gjë, pasojat dhe konseguencat e saj. Packa se ajo nuk i përshëndeti ata- që do të ishin bashkëstudentët e saj për disa vite, por syrit të saj nuk i shpëtoi studenti simpatik, i vetmuar dhe i heshtur, duke e vërejtur atë vjedhurazi herë-pas here nga një distancë, që i dukej edhe afër edhe larg. Rrëfimin e historisë së dashurisë mes Mimozës dhe Luanit, autori e bën si një pagëzim të katarsisit të dy personazheve kryesore, duke na lënë të kuptojmë se tek të rinjtë shohim disa karakteristika të përbashkëta. Autori ndalet në karakteristikat demografike të dy personazheve –duke i bërë evidente gjatë rrëfimit -Mimoza vajzë qyteti e rritur mes gjithë të mirave, dhe Luani, djali karizmatik, që vjen nga zonat rurale. Duke parë këto karakteristikat demografike të tyre, autori ka identifikuar kështu jo vetëm stereotipet e sistemit socialist dhe realitetit të kohës, por me të njëjtën linjë, autori gjithashtu ka absorbuar idetë konstruksioniste sociale edhe të personazheve të tjerë, të thjeshtë e të zakonshëm, brenda rrëfimit dhe jashtë tij (lexuesit). Djemtë janë të gjithë kureshtarë duke i hedhur vështrime Mimozës kudo që ajo ndodhej mes tyre. Autori përfshin edhe personazhe të tjera, si Bali, mikja e ngushtë e Mimozës, Piro, Latifi, Minella, etj, mbështetjen e tyre ndaj njëri tjetrit dhe mjedisin që i rrethonte. Autori e bën këtë për të kuptuar më mirë cështjet personale që i prekin personazhet kryesorë dhe nëpërmjet tyre të gjithë të tjerët, jetët e të cilëve bëhen të ngatërruara në një mënyrë apo tjetër, mes mistikes dhe magjisë së rrëfimit. Autori sheh në lidhjen e drejtpërdrejtë të tyre mes peripecive të individëve dhe përvojat e jetës së vërtetë të atij brezi që jetonin në Shqipërinë e asaj kohe -, kur duhej lejë për gjithcka, e aq më tepër – lejë “nga lart” për të dashuruar e jetuar, karakteristika këto që i atribuohen partishmërisë së shtetit, që kishte gëlltitur popullin dhe kulturën e tij. Lundrimin e lumtur e të trishtë të emocioneve, autori e ka paraqitur me finesë, “dredhi e dinakëri” filozofike, letrare e artistike, shkrirjen e identiteteve, pothuajse në nivele të papajtueshme, janë pjesë e sakrifikimt dhe vendimmarrjes për jetën me eksperiencat dhe përvojat e saj. Duke ruajtur diskursin mes ideve, Jorgaqi na ka dhënë indirekt dhe përtej guximit, staturën e një realiteti të kohës, që nuk mundeshim ta pranonim, por as ta mohonim. Takimet e dy të dashuruarve bëheshin në fshehtësi, -jo vetëm larg syve të shokëve të kursit, por sa më larg prindërve të saj, frikë të jetonin dhe frikë të dashuronin, por kjo gjë i bënte më të padurueshëm, nuk mund të qëndronin larg njëri-tjetrit, kështuqë Mimoza e Luani sajonin situata që të rrinin bashkë, dhe lumturia e dashurisë së tyre provokonte të pakapshmen. Luani është një djalosh i thjeshtë që e do jetën, shkollën, i pëlqen letërsia dhe shoqëria me librat, gëzonte pasionin e artit të të shkruarit dhe shkruante poezi. Ai jo vetëm e admironte Mimozën, por edhe e dashuronte atë, ishte në dashuri me të. Ai gjithmonë dëshironte atë, që ishte më e mira për Mimozën, madje edhe kur ajo nuk e dëshironte atë. Luani ishte këmbëngulës në ruajtjen e virgjërisë së dashurisë së tyre, përkundër asaj këmbëngulje ai ende kishte për t’i treguar asaj, se ata nuk janë të vetëm në atë rrugë ku shkojnë të gjithë dhe që ta ndryshon jetën. Historia e dashurisë së tyre –që është edhe thelbi i romanit, – ishte shumë e bukur, një poemë dashurie, deri në momentin, kur ajo nëna e Mimozës, do e merrte vesh lidhjen e tyre. Nënë Maria një shtëpiake e devotëshme, por me shpirtin egoist luftarak, diktatore dhe kontrolluese e fatit dhe e jetës së të bijës, ndërmerr risqe të reja në marrëdhëniet e saj me të bijën dhe të shoqin, duke bërë që dashuria e dy të rinjëve të ndjehet e pasigurtë dhe e padëshiruar për të e familjen e tyre, deri në mosmiratimin dhe mohimin e asaj lidhje dashurie. Përpjekjet e saj për ta fejuar me dikë tjetër sa më shpejt, ajo i sheh si “mjet” për të krijuar një marrëdhënie te re mes vetes e të bijës, e sigurtë se Mimoza do të bindet dhe do të përfitojë më shumë për të qenë e lumtur sipas saj, përkundrejt paraqitjes së realitetit. Kjo është drithërima kryesore e romanit, që mbyllet po me drithërimën e një dashurie të pafat të Mimozës dhe të Luanit,- papritmas humbin dashurinë përgjithmonë, atë dashurinë e jetës së tyre!

Ky është edhe aspekti më intrigues i romanit. është kontrasti midis asaj që njerëzit kanë nevojë për të jetuar dhe adhurimin për jetën me ndjenjën e dashurisë, përkundrejt neglizhimit të plotë në përmbushjen e tyre nga makina konservatore e mentalitetit të prindërve e shoqërisë që jetonin, të zhytur në pasojat psikollogjike dhe përcaktuese e interesave të saj.

Konfrontime me realitete e mendësi të tilla hasim përgjatë subjektit të veprës, janë shembulli më i njohur brenda propagandës sociale, filozofike dhe ideologjike të partshmërisë së shtetit socialist duke u bërë kështu laboratori i humorit, ironisë dhe sarkazmës të rrëfimtarit. Ky është pothuajse akti i guximit i autorit Jorgaqi, duke na dhënë këtë rrëfim epik të dashurisë vendosur mbi trekëndëshin klasik. Autori Jorgaqi refuzon në heshtje t’i vendosë gardhe shpirtit të lirë, dhe ngrihet po aq guximshëm me kriticizmin i tij, kundër sfondit të forcave natyrore dhe “erës” së fortë konservatore të territorilitetit social –politik, përtej kontrollit të personazheve. Ai tregon se ne njerëzit, tipe të ndryshme ngatërojmë bukurinë me shëmtinë, duke e humbur krejt sharmin e së bukurës, që janë groteske në realitet, por në fundit të fundit përcaktojnë fatet njerëzore të tyre. Përmes një dinamike narrative me talent dhe mjeshtëri artistike e filozike, autori portretizon idenë e rrëfimit shkëlqyeshëm nëpërmjet personazheve, përmbajtjes psikollogjike dhe rolit të tyre në jetë. Mesazhi që ta duam jetën dhe të jetojmë me ndershmëri për veten e të tjerët kushtëzon përzgjedhjen, stilin e autorit dhe shkëlqen në roman përmes dialogjeve, veprimeve dhe personalitetit të personazheve. Dashuria të con në lumturinë shpirtërore, kur ajo është dashuri e vërtetë dhe e sinqertë. Të gjitha personazhet janë në kërkim të së bukurës dhe shpirtit të lirë për t’u ndjerë të lumtur e në harmoni. Gëzimi, shpirti i lirë, dashuria dhe pasioni për të jetuar dhe dashuruar, vjen vetëm duke vrarë frikën dhe drojën në emër të humanes dhe dashurisë njerëzore.

Raimonda MOISIU

Hartford CT USA

Janar 2015