Publikuar Ne: 17 Mars 2014
140 shikime
AKTUALITET / EKONOMI / Lajmet e fundit | By albaniaplus

Cani: Jam besimplot për suksesin e bashkëpunimit me Crown Agents

caniMinistri i Financave, Shkëlqim Cani, deklaroi të hënën se të ardhurat gjatë 6-mujorit të parë të vitit 2014 parashikojmë të jenë 120 milionë dollarë më të larta krahasuar me 2013-ën. Kjo sipas tij, falë reformimit të administratave fiskale si dhe bashkëpunimit me kompaninë britanike Crown Agents.
Në takimin e zhvilluar në degën doganore të Tiranës, ministri Cani informoi se pas përgatitjes logjistike, ekipet e kompanisë Crown Agents zbresin sot në terren. Zbritja e Crown Agents në terren, tha ai, është një lajm i mirë me pritshmëri pozitive për të gjithë ne, sidomos për të ardhurat e buxhetit. “Me Crown Agents ne garantojmë një bashkëpunim të doganave me ekspertët e kompanisë. Nga ky bashkëpunim ne presim progres dhe rezultate më të larta. Vetëm në 6-mujorin e parë të ardhurat totale të buxhetit të shtetit kanë një pritshmëri për një rritje prej 120 milionë dollarë, në krahasim me 2013-ën. Synimi ynë është reformimi inovativ i institucioneve fiskale, një klimë më e mirë dhe e sigurtë për biznesin dhe një administratë e ndershme dhe e përgjegjshme me synim të qartë progresin e rritjen e ndjeshme të të ardhurave të buxhetit”, theksoi ministri Cani. Jam besimplot, vijoi ai, për suksesin e bashkëpunimit mes administratës doganore dhe Crown Agents.
Kreu i financave publike tha se administratat e tatimeve dhe doganave janë të angazhuara për rritjen e të ardhurave. “Në dy muajt e fundit kam vizituar çdo adminsitratë doganore dhe tatimore dhe kam vërejtur një angazhim maksimal nga ana e stafit të këtyre administratave për rritjen e të ardhurave”, tha Cani.
Zbritjen në teren të ekipit të kompanisë britanke Crown Agents e përshendeti edhe ambasadori britanik në Tiranë, Nicholas Cannon. Ambasadori britanik e cilësoi përzgjedhjen e Crown Agents si mënyrën më efektie për t’iu përgjigjur nevojave të qytetarëve dhe qeverisë shqiptare. “Jemi të nderuar që qeveria përzgjodhi këshilltarin anglez. Jam i bindur që ky projekt ka për të qënë i sukseshëm”, deklaroi ai.
Kompania britanike “Crown Agents”, që asiston doganat shqiptare, zbret sot në terren. Agjentët e “Crown Agents” do të nisin punën në terren me 8 grupe mobile në përbërje të të cilëve do të jenë edhe ekspertë të doganës shqiptare. Sipas marrëveshjes me qeverinë shqiptare, kompania britanke do të kryejë 450 kontrolle në muaj. Nga fundi i muajit janar në Tiranë është vendosur një ekip prej 15 pjestarësh nga 5 vende të ndryshme, si Letonia, Finlanda, Mbretëria e Bashkua, e Danimarka.
Drejtuesi i projektit të kompanisë “Crown Agents” për asistencë në sistemin doganor shqiptar, David Smith, ka bërë të ditur se zbatimi i kontrolleve në dogana dhe zbulimi i mashtrimit do të jetë teknologjia jonë kyesore që do të praktikojmë. “Agjentët tanë nuk do të jenë të ulur në zyrë, por në terren, në pikat kufitare për të identifikuar e zbuluar mashtrimin. Ata do të sjellin informacion drejt zyrës qendore në mënyrë që të përmirësohen e të hartohen politika e procedura të reja në bazë të të dhënave e informacionit të zbuluar. Do të punojmë me burimet njerëzore për të përkufizuar më mirë përshkrimin e punës, apo procesin e rekrutimit të personelit profesional doganor. Do të reduktojmë mundësinë që korrupsioni të ndodhë”, ka theksuar Smith. Në mënyrë që të jemi efektiv, tha Smith, duhet të bashkërendojmë punën me të gjitha institucionet, por edhe me komunitetin e biznesit. Sipas tij, ekipet në pikat doganore do të hartojnë raporte javore për institucionin qendror.
“Përmes reformave synojmë të mbledhim më shumë të ardhura në një afat të shkurtër kohor dhe të ngremë kapacitetet, në mënyrë që të ardhurat të jenë të qëndrueshme në periudhë afatgjatë. Objektivat kryesore të programit tonë është të rrisim nivelin e mbledhjes së të ardhurave, të rrisim integritetin brenda administratës doganore dhe në bashkësinë e biznesit dhe të mbështesim ngritjen e kapaciteteve të doganave në përputhje me kriteret për integrimin në Bashkimin Europian”, nënvizoi Smith.
Kompania britanike “Crown Agents” që u kontraktua në muajn nëntor për asistimin në punën e doganave shqiptare u prezantua në 27 janar të këtij viti në Tiranë. Ekipi prej 15 pjestarësh nën drejtimin e David Smith do të punojë duke pasur në fokus një administrim më të mirë të punës në dogana, luftën e korrupsionit dhe rritjen e të ardhurave për llogari të qeverisë shqiptare. Qeveria shqiptare do t’i paguajë kompanisë britanike “Crown Agents”, 8.5 milionë euro për shërbimin dyvjeçar te asistencës që ajo do u ofrojë doganave. Sipas kontratës, shuma, do të lëvrohet në dy vjet. Por marrëveshja parashikon se kjo pagesë mund të ulet deri në 25 për qind, nëse kompania britanike nuk sjell rezultatet në rritjen e të ardhurave, për të cilat palët kanë rënë dakord. ‘Crown Agents’ do të ndërmarrë sipas kontratës 450 kontrolle në muaj dhe po sipas kontratës, do të na ndihmojë që të garantojmë këtë vit rritjen me 1 për qind të GDP-së së vendit nga të ardhurat e doganave. Në kontratë janë përcaktuar gjithashtu edhe të drejtat dhe detyrimet e palëve. Sipas saj, “Crown Agents” do të asistojë personelin e administratës doganore në analizën e informacioneve doganore. Po kështu kompania britanike do të asistojë edhe personelin e administratës doganore që kryen funksione hetimi, kontrolli dhe verifikimi. Marrëveshja do të ketë një afat prej dy vitesh, me opsion rinovimi për vitin e tretë. Kompania “Crown Agents” është e njohur në botë dhe me aktivitet aktualisht në rreth 100 vende të botës.

141 shikime 1 sote

About the Author

albaniaplus -

Komentoni

XHTML: Mund te perdorni keto html tags: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

Optimization WordPress Plugins & Solutions by W3 EDGE
We use cookies to ensure that we give you the best experience on our website.
Ok