Boston, terrorizëm apo lojë interesash?

76

Two Explosions Near Finish Line at Boston Marathon

Edhe një herë tjetër intoleranca dhe barbaria godasin njerëzit e pafajshëm. Një akt ky si shumë të tjerë, që gjatë këtyre viteve kanë shoqëruar jo vetëm Amerikën por anembanë botën.

Natyrisht, motivet e këtyre akteve të forcës me anë të terrorizmit dhe guerrilies urbane nuk janë situata të përdorura vetëm në këto vitet e fundit, ato kanë histori dhe motive të ndryshme, pavarësisht, se, për ne nuk ekziston realisht një motiv që shkallëzon në akte të tilla.

Nuk duhet menduar direkt tek terrorizmin fondamentalit Islamik, kur përmendet kjo fjalë ka lloje të ndryshme bindjesh dhe fondamentalizmi është vetëm një rrymë e këtij fenomeni të përhapur në të gjithë botën. Ku me shumë e ku më pak, terrorizmi është një nga fenomenet më të studiuara nga ana shkencore dhe teknike nga specialistë, nga e gjithë bota. Ky fenomen është shkak i shumë konflikteve apo reagimeve ushtarake, këto dekadat e fundit. Tre tiparet më të rëndësishme që e karakterizojnë atë janë: motivacioni, kapaciteti dhe mjetet.

Nëse këto tre përbërës, bëhen bashkë, atëherë fenomeni është tragjik në jetë njerëzish dhe në kufizimin e një përditshmërie të qetë, ashtu sikur po ndodh tani, në vende të ndryshme në SHBA, ku alarmi është në maksimum, sepse priten akte te tjera si i Bostonit. Njerëzit jetojnë me frikë nga terrori i përshkallëzimit të këtyre akteve!

Bostoni, është një nga vendet më të bukura të Amerikës. Përzgjedhja e vendit, momentit dhe mënyrës, na lë të mendojmë në një parapërgatitje dhe planifikim shumë efikas të aktit që u finalizua dje. Ku më mirë, se, në një vend ku prania e mijëra personave, do të ishte një zonë ideale për një akt të tillë, për faktin se ishte një ngjarje sportive, kulturore nga më të vjetrat e Amerikës. U godit jo vetëm njerëzimi, por edhe jeta e shtetit Amerikan, duke treguar që elementët që ndërmarrin akte të tilla janë shumë aktivë dhe është e pamundur ti ndalosh, sado që niveli i sigurisë dhe rritja nga ana e hetimit dhe inteligjencës është aktive. Natyrisht parandalimi i këtyre akteve në 100% është i pamundur (nuk ekziston), por nuk duhet ulur veprimtaria dhe gatishmëria asnjëherë, duke ditur tashmë që na duhet të jetojmë në mënyrë të vazhdueshme me këtë fenomen. Amerika për të disatën herë u godit me jetë njerëzish (nga të dhëna paraprake deri tani ka 3 viktima dhe mbi 140 të plagosur). Në këtë akt u përdor një mënyrë operacionale, shumë efikase nga të dhënat paraprake dhe mënyra e vendosjes së bombave, të aktivizuara në distancë me anë te pajisjeve elektronike (në këtë rast telefon).Tre bomba artizanale të tjera u lokalizuan dhe u çaktivizuan nga ekspertët e eksplozivit EOD, duke evituar një kasaphanë të madhe. Ndërkohë që dy bomba të tjera artizanale, shpërthyen në një segment jo shumë të largët nga njëri-tjetri, duke shfrytëzuar panikun, që krijohet nga një shpërthim i parë dhe studiuar në mënyrë paraprake shpërthimin e dytë, për të kompletuar kurthin perfekt. Goditet edhe biblioteka, por për fat të mirë, pa rezultat dhe humbje jete. Nuk mund të thuhet me saktësi, se, nga vjen ky akt, mund të jetë nga brenda apo nga jashtë. Duke parë politikën Amerikane, prezencën dhe interesat e tyre në gjithë botën nga ana ushtarake, ekonomike, kulturore etj. Duhet medoemos që të mos i përulemi këtij fenomeni, që mund të godasë në çdo kohë, kur ikën në pune, në shkollë, me pushime, në vende argëtimi, në manifestime të mëdha, struktura të ndjeshme private dhe shtetërore etj. Natyrisht, na duhet të presim se si do të zhvillohen ngjarjet nga ana e hetimeve duke shpresuar që kërcënimi dhe sinjalet e panikut për akte te tjera, po në këto ditë sikurse bëjnë të ditur organet e hetimit, të arrijnë të parandalohen.

Terrorizmi u shpik nga njeriu, si një akt jo konvencional dhe si i tillë është shumë i vështirë të goditet, nëse nuk kuptohen mire tre parimet bazë të saj, të renditura më sipër.