Bojaxhi prezanton programin për mirëmenaxhimin e parkimeve

60

bojaxhiKandidati i pavarur për Bashkinë e Tiranës, Gjergj Bojaxhi parashtroi sot programin e tij për mirëmenaxhimin e parkimeve.

Bojaxhi vuri në dukje situatën e rëndë të parkimeve në Tiranë, sipas së cilit vjen si rezultat i mungesës totale të vizionit dhe klientelizmit të drejtuesve të Bashkisë.

Bojaxhi theksoi se edhe kur situata e parkimeve u bë financiarisht fitimprurëse, politikanët i ndanë koncensionet e parkimeve tek klientët e tyre një të PD-së dhe një të PS-së të cilat prapë nuk u bënë kurrë dhe nuk mbajti përgjegjësi askush.

Duke treguar një lagje të Tiranës ku parkimet ishin të zëna nga hekura e zinxhirë Bojaxhi u shpreh se “ja si është menaxhimi aktual i parkimit. Me zinxhirë, hekura, apo betona. Kjo është pasoja dhe jo shkaku. Qytetarët nuk kanë më ku të parkojnë dhe ne do t’i rikthejmë qytetarëve vendparkimet publike. Tirana është ndoshta i vetmi kryeqytet në botë që nuk ka parkime publike nëntokësore apo mbitokësore. Ne do t’a ndryshojmë këtë gjë”, tha ai.

Plani i tij për parkimet në Tiranë, parashikon hapësira optimale parkimit nëntokësor për ndërtimet e reja, përndryshe leja nuk do të jepet, ndërtimin e një parkimi të madh në stacionin e autobuzëve interurbanë në periferi të Tiranës, futjen e një sistemi modern për pagesën dhe menaxhimin e parkimeve publike në rrugë etj.

Sakaq, një ditë më parë, Bojaxhi prezantoi edhe planin për transportin publik ku theksoi faktin se tashmë do të ketë një biletë unike për linja të ndryshme dhe se autobuzët do të pajisen me GPS për të ditur mbërritjen e saktë në stacionet e tyre.