Blushi : Jashtë BE-së, jo për arsye fetare por se jemi të pareformuar

54

Ben-BlushiDeputeti Ben Blushi në një intervistë për të përditshmen “Panorama” hedh poshtë argumentin e përdorur, se refuzimi i statusit erdhi si pasojë e faktit që jemi myslimanë. Ndonëse BE, nuk njeh në vetvete asnjë vend të anëtarësuar mysliman, Blushi thotë se, Europa i ka kapërcyer problemet fetare.

“Është e pavërtetë të pretendosh se jemi jashtë BE se jemi myslimanë. Jemi jashtë sepse jemi një vend i pareformuar”, shprehet Blushi.

“Shqipëria nuk ka kryer reformat  e duhura në 20 vitet e  fundit. Në përgjithësi ajo perceptohet si një vend ku krimi dhe korrupsioni janë aleatë dhe ushqim i klasës politike  pa dallim. Ky është perceptim i përgjithshëm. Prandaj besoj se  në vend që të fajësojmë Europën duhet ta kthejmë Shqipërinë në vend të gatshëm për t’u anëtarësuar. Sado që  gjuha e disa grupeve  anti-europiane brenda Bashkimit Europian është e hidhur dhe jo gjithmonë e merituar, nuk janë ato për Shqipërinë që kemi”, thotë më tej ai.

Blushi thotë se Europa i ka kapërcyer paragjykimet fetare me kohë.

“T’u thuash shqiptarëve se nuk po ju pranojmë  në Europë sepse jeni myslimanë , kjo është e tepërt. Çdo ekstremist holandez apo danez mund ta thotë, por kushdo që e përsërit ia shton kompleksin popullit të vet. Europa kishtare nuk është Europa politike. Dhe Europa e ditëve tona nuk është Europa  e kryqëzatave  dhe inkuizicionit të Mesjetës, Europa i ka kapërcyer paragjykimet fetare me kohë  dhe me prova, sepse pa europianët Bosnja  myslimane do të ishte ende  një thertore”, shprehet Blushi për gazetën “Panorama’’.

Deputeti socialist ka thumbuar Ramën lidhur me deklaratën që ky i fundit bëri pak ditë më parë në “Opinion” për mandatin si kryetar partie, i cili do të rikonfirmohet nga forumet.

“Mua nuk më habiti deklarata, por lehtësia me të cilën u bë. T’i thuash një partie  se nuk do të bëjë zgjedhje, është si t’i thuash një njeriu se nuk duhet të marrë frymë se ka ca punë të tjera”, shprehet Blushi.