Bledi Taska: Ka Vlorë edhe në Boston

89

BLEDI TASKA*Flora Nikolli\ATSH

Bledi Taska është sot doktor i shkencave në ekonomi dhe punon si konsulent pranë Analys Group në SHBA. Në Amerikë mësoi të thotë se nuk e di diçka dhe duhet ta mendojë, ose ta studjojë, para se të përgjigjet. Pozicionin si konsulent ekonomik dhe litigim pranë Analysis Group në Boston ia dedikon punës së tij, fatit dhe dy prindërve të mrekullueshëm. “Pa përkrahjen dhe shembullin e tyre nuk do kisha arritur aq sa kam arritur sot”, rrëfen Bledi Taska në këtë intervistë. Për të cilësia më e rëndësishme për të qënë i suksesshëm është të këmbëngulësh dhe të ngrihesh kur jeta nuk t’i sjell gjërat ashtu si mendon. Ka pasur plot herë që ka menduar se ka dështuar dhe se nuk do t’ia dalë mbanë, por pas një dështimi është perpjekur të ulë kokën, të mendojë se çfarë nuk ka bërë mirë! Kështu është përpjekur sërish derisa ka realizuar synimet… Kolegët e tij e kanë mësuar të jetë modest nga ana profesionale dhe të përpiqet gjithmonë sa më shumë. Për Bledin është e vërtetë shprehja, “amerikanët jetojnë për të punuar, ndërsa europianët punojnë për të jetuar”. Por, ne popujt ballkanas, thotë ai, jemi akoma më ndryshe, kemi pasion të madh për jetën që nuk e shikon midis amerikanëve. Ndër projektet e tij të ardhme është krijimi i një familjeje të lumtur, me fëmijë që të jenë krenarë për prindërit e tyre. Ka mall dhe dashuri të madhe për Vlorën dhe gjithmonë përpiqet të gjejë vlonjatë në Amerikë. Tregon se në qendër të Bostonit, pranë vendit të tij punës, ka një restorant me emrin “Vlora”. Si çdo vlonjat ëndrra e tij është të kthehet një ditë në vendlindje dhe të ketë një shtëpi pranë detit.

Ishit vetëm 12 vjeç kur me familjen emigruat nga Vlora në Athinë. Fëmijëria është pjesë e rëndësishme për të gjithë…Si ka qënë fëmijëria juaj në Vlorë dhe çfarë kujtoni nga ajo pjesë e jetës?
E kujtoj gjithmonë me shumë mall. Kujtoj kur prisnim me padurim të vinte stina e verës dhe të pushonim në plazhin e vjetër, ose te hidheshim në det nga kalaja. Deti është një pjesë e jetës së çdo vlonjati! Kujtoj kur afronte Viti i Ri dhe në oborr nxirrnim kaposhat e detit për t’u ndeshur me njëri-tjetrin. Më kujtohet pranvera kur, së bashku me shokët e klasës, dilnim të kapnim pilivesa. Janë kujtime të thjeshta, të një fëmijërie shumë të lumtur. Tani koha ka ndryshuar dhe vetëm këto kujtime më lidhin me atë periudhë. Fillimi i jetës në Athinë ishte një kombinim vështirësish me entuziasmin. Më kujtohet gjithmonë momentin kur mbërritëm në Athinë. U entuziasmova nga qyteti plot drita, por u gabova! Në atë kohë na iknin dritat vazhdimisht!

Në kryeqytetin helen përfunduat studimet universitare, studime që do t’i vijonit më pas në SHBA…Si do ta përkufizonit integrimin në Greqi?

Jeta në Greqi ishte e vështirë. Prindërit nga inxhinierë duhet të bënin çdo punë që të mbijetonim. Shumë shpejt, pasi mbërrita në Athinë, kuptova se racizmi filloi të rritej dhe shqiptarët trajtoheshin si persona të kategorisë së tretë. Nuk mendoj se grekët nuk janë njerëz të mire, apo të dashur. Në fillim u sollën shumë mirë me ne. Kujtoj se kur shkova në shkollë për herë të parë, mësuesi më prezantoi para klasës, dhe ditën tjetër shokët më sollën mjete mësimore. Por, në atë kohë mediat dhe politikanët filluan ta përdornin emigracionin për interesat e tyre politike. Megjithatë, ishin këto vështirësi dhe përpjekjet e prindërve që më bënë ai që jam sot. Greqia ishte vendi që më dha mundësinë të studioja në Amerikë. Kështu që nuk do t’i ndërroja këto vështirësi, edhe po të kisha mundësi.

E veçoni Nju Jork University si student i doktoraturës, por edhe për eksperiencat tuaja të para si pedagog. Cilat janë përjetimet tuaja kur punonit me profesorë të njohur, mes tyre edhe nobelistë?

Nuk është e lehtë! Këta njerëz janë aq të veçantë, në shumë aspekte, sa vetëm mund t’i adhurosh. Por, gjithmonë, kur jam afër tyre e kuptoj sesa shumë duhet të përpiqem të arrij një të dhjetën e tyre. Mund të përmend Thomas Sargent, i cili fitoi çmimin Nobel në Ekonomi në vitin 2011. Ai është 70 vjeç. Është një profesor me një karrierë më shumë se 45 vjeçare. I ka arritur të gjitha dhe ka mundësi të ketë një jetë luksoze, pa punuar (vetëm çmimi monetar i Nobelit është 1 milionë dollarë). Por, edhe sot vazhdon të japë mësim dhe punon bashkë me shumë studentë të tij. Në fund të një semestri na ftoi në shtëpinë e tij. Ishte një shtëpi e thjeshtë! Profesor Sargent prezanton shumicën e intelektualëve në Amerikë, njerëz të thjeshtë dhe të dedikuar pas shkencave.

Të qënit sot konsulent ekonomik dhe litigim pranë Analysis Group në Boston, ishte fat apo përzgjedhje e merituar?

Këtë pozicion e arrita falë punës së vazhdueshme, pak fat, dhe dy prindërve të mrekullueshëm. Pa përkrahjen dhe shembullin e tyre nuk do kisha arritur aq sa kam arritur sot.

Doktor i shkencave në ekonomi, konsulent ekonomik pranë Analys Group në SHBA…një karrierë e suksesshme në pak vite. Cili është sekreti i këtij suksesi?

Cilësia më e rëndësishme për sukses është të këmbëngulësh dhe të ngrihesh kur jeta nuk t’i sjell gjërat ashtu si ti mendon. Ka pasur plot herë që kam menduar se kam dështuar dhe nuk do t’ia dalë mbanë. Por, pas një dështimi jam përpjekur të ulë kokën, të mendoj se çfarë nuk kam bërë mirë dhe të përpiqem sërish derisa të realizoj synimet e mia.

Në të njëjtën kohë jeni i angazhuar rregullisht me seminare, konferenca e kërkime shkencore…

Konferencat dhe seminaret janë një pjesë e punës shkencore. Në këto konferenca kam prezantuar kërkimet e mia dhe jam përpjekur të marrë opinione nga njerëz me eksperiencë, për të përmirësuar kësisoj projektet e mia. Në kërkimet shkencore janë shumë të pakët njerëzit që bëjnë hapa të mëdha dhe e çojnë shkencën përpara. Ne njerëzit e thjeshë bëjmë hapa të vegjël dhe anësore! Kjo është e vërteta e hidhur e kërkimeve shkencore.
Jeni tërhequr ndonjëherë përpara vështirësive në arritjen e objektivave profesionale?
Po, vetëm kur objektivat profesionale ishin në kundërshtim me objektivat personale. Atëherë jam tërhequr dhe i kam dhënë prioritet jetës personale dhe familjes sime.

Si do t’i vlerësonit marrëdhëniet me kolegët në vendin tuaj të punës, apo edhe me atë pjesë të komunitetit amerikan me të cilët keni kontakte?

Shumica e kolegëve të mi janë inteligjentë dhe me ambicie. Në Amerikë mësova të them se nuk e di diçka dhe duhet ta mendojë, ose ta studiojë para se të përgjigjem. Ne ballkanasit për çdo gjë kemi gjithmonë një përgjigje, nga një herë më shumë se një! Kolegët e mi më kanë mësuar të jem modest nga ana profesionale dhe të përpiqem gjithmonë sa më shumë. Është e vërtetë shprehja se “amerikanët jetojnë për të punuar, ndërsa europianët punojnë për të jetuar”. Për më tepër, ne popujt ballkanas jemi akoma më ndryshe, kemi pasion të madh për jetën, që nuk e shikon midis amerikanëve.

Keni menduar se një ditë mund të kontribuoni në sistemin ekonomiko-financiar shqiptar?

Shqipëria është një vend i ri nga ana e edukimit politik. Duhet të maturohemi nga kjo anë dhe atëherë të flasim për aplikime të koncepteve ekonomike. Besoj se, tani për tani, problemi më i rëndësishëm i Shqipërisë është edukimi shkollor i mesëm dhe i lartë. Ngurroj të them se pas 10-15 vitesh Shqipëria do gjendet në të njëjtin pozicion si Greqia, pasi vendit tonë i mungojnë themelet ekonomike dhe financiare. Megjithëse janë bëre shumë përpjekje dhe hapa në drejtimin e duhur, kërkohet ende shumë kohë, shumë punë.

Cilat janë projektet tuaja për të ardhmen?

Të kem një familje të lumtur dhe fëmijë që të jenë krenarë për prindërit e tyre.

Ç’lidhje keni sot me Vlorën, vendlindjen tuaj?

Në zemrën dhe në mendjen time lidhja me vendlindjen është shumë e madhe. Por, në realitet është pak! Kjo ka të bëjë me faktin se jetoj shumë larg. Kam mall dhe dashuri të madhe për Vlorën dhe gjithmonë përpiqem të gjejë vlonjatë këtu në Amerikë. Madje në qendër të Bostonin, afër punës sime, ka një restorant me emrin “Vlora”. Një nga miqtë e mi në Amerikë është Ergys Islamaj, ekonomist dhe profesor në Universitetin Vassar. Me Ergysin u njohëm në një konferencë ekonomike, dhe pas disa minutash bashkëbisedim mësuam se ishim nga i njëjti qytet. Sigurisht, si çdo vlonjat, ëndrra ime është të kthehem një ditë në vendlindje dhe të kem një shtëpi afër detit.

Si e konsideroni iniciativën e Albanian Excellence për prezantimin e historive të suksesit të qytetarëve vlonjatë jashtë Shqipërisë?

Besoj se është një iniciativë e adhurueshme që duhet të vazhdojë. Në botë ka shumë shumë shqiptarë që kanë arritur sukses si emigrantë dhe që mund të jenë një shembull i mirë për brezin e ri. Besoj se, të gjithë e kuptojmë se një pjesë e madhe e suksesit tonë lidhet me themelet dhe bazat që kemi marrë në Shqipëri. Së fundi dua të them se projekti i Albanian Excellence bashkë me shijen e ëmbël të lë dhe një shije pak të hidhur në fund. Pse këta intelektualë shqiptarë të mos e kishin njohur këtë sukses në vendin e tyre?