Publikuar Ne: 10 Mars 2014
49 shikime
AKTUALITET / Lajmet e fundit / POLITIKE | By albaniaplus

Berisha: Statusi përsëri në rrezik nga dyshja Rama-Meta

berisha-fbIsh-kryeministri, Sali Berisha, jep alarmin se qeveria Rama-Meta po rrezikojnë sërish marrjen e statusit kandidat për Shqipërinë. Në një shkrim në rrjetin social fb, Berisha thekson në analizën e tij se qershori po afron dhe ne përsëri rrezikojmë të na refuzohet statusi i vendit kandidat, pasi në 6 muaj në pushtet, Rama-Meta përdorën votën pro të qytetarëve si:

-Shuplakë për opozitën, të cilën e vlerësoi si “gropë septike”
-Kazëm ndaj standarteve europiane dhe institucioneve të vendit
-Për tejkalimin si në diktatura nga qeveria të Kushtetutës dhe rrëzimin me vendime të qeverisë të neneve të saj si dhe të ligjeve dhe vendimeve të gjykatave në funksion të pushtetit personal
-Për shndërrimin e shtetit ligjor në shtetin policor
-Për gijotinën politike ndaj administratës publike
-Për ndërtimin e piramidës së financave publike dhe rritjen e borxhit
-Për ndërtimin e sistemit kleptokratik
-Për shndërrimin e Shqipërisë në protektorat krimi

Për dyshen Rama-Meta standartet europiane nuk ekzistojnë!

Pas rënies së perdes së hekurt, për t’i hapur rrugën zgjerimit të BE, vendet anëtare miratuan në vitin 1993 në samitin e Kopenhagenit, një dokument që hyri në histori me emrin e këtij kryeqyteti dhe që paraqet hartën e rrugës për vendet që duan të anëtarësohen në BE. Në këtë dokument, është përcaktuar qartë se, kushte themelore për këto vende janë: demokracia dhe shteti ligjor; zgjedhjet e lira; liritë dhe të drejtat e qytetarëve dhe minoriteteve; dialogu politik; institucione të qëndrueshme; aftësia për të përmbushur detyrimet e proçesit të anëtarësimit (equi’s communitaire), dhe lufta kundër korrupsionit e krimit të organizuar. Këto standarte kanë si qëllim më kryesor garantimin e funksionimit të demokracisë, shtetit ligjor dhe ekonomisë së tregut.

Kështu që sot, problemet tona më themelore në proçesin e integrimit lidhen para se gjithash me qëndrimin e forcave politike në tërësi, dhe në veçanti PS-LSI në pushtet, ndaj standarteve europiane, ligjeve, parimeve, vlerave, të cilat qëndrojnë në themel të sistemit demokratik të vendeve anëtare të BE.

Por, le të analizojmë ne këtu, bazuar në fakte të pakundërshtueshme se, cili ka qenë dhe është qëndrimi, në pushtet dhe në opozitë, i PD dhe PS –LSI ndaj kritereve të Kopenhagenit, standarteve europiane.

Për latinët: “Facta sunt potentioria verbis – Faktet janë më të fuqishme se fjalët”, ndaj le t’i lemë faktet të flasin:

Në 8 vite në pushtet, PD iu përmbajt rigorozisht parimit për një proçes integrimi të bazuar në meritë, dmth në reformat dhe suksesin e tyre pra, në vendosjen, respektimin dhe konsolidimin e standarteve europiane, gjë që bëri të mundur që, gjatë viteve në pushtet, ne të çojmë përpara pandërprerë këtë proçes.

Nga viti 2005 deri në vitin 2013, në Shqipëri u zhvilluan dy zgjedhje të përgjithshme dhe dy lokale. Ato nuk ishin të përsosura, por plotësonin standartet ndërkombëtare në shkallën që bënë të mundur anëtarësimin në NATO, heqjen e vizave dhe rekomandimin, dy vite me rradhë, të statusit të vendit kandidat.

Ne, fuqinë e votës pro nuk e konsideruam shuplakë për kundërshtarin, por e përdorëm si energji pozitive për reforma të thella dhe të gjithanshme për funksionimin e shtetit ligjor dhe ekonomisë së tregut. Ne respektuam në çdo rast votën kundër dhe bëmë gjithçka për një dialog me kundërshtarët tanë, zbatuam me seriozitet Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit me BE. Sot PD në opozitë ka shpallur se mbështet pa kushte proçesin e integrimit. Ajo ka lobuar dhe po lobon për statusin e vendit kandidat, e bindur se Shqipëria e meriton atë.

Po cili ka qenë qëndrimi i PS dhe Edi Ramës ndaj votës së qytetarëve dhe zgjedhjeve në tërësi?

Në vitin 1998 rezultati i referendumit të Kushtetutës, u manipulua haptas në atë shkallë sa misioni i vëzhguesve të OSBE/ODHIR nuk publikoi raportin e vezhgimit dhe kjo u bë shkak i refuzimit ne samitin e Sarajevës në vitin 1999 të hapjes të negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit me Shqipërinë. Po kështu, hapjen e negociatave në samitin e Zagrebit 2000 e bllokoi përsëri dhunimi i zgjedhjeve lokale të vitit 2000, të cilat vëzhguesit ndërkombëtar i vlerësuan si zgjedhje të një vendi jo demokratik. Hapjen e negociatave, te cilen e mbështeti samiti i Stokholmit i majit 2001, e bllokuan më pas zgjedhjet e përgjithshme të qershorit te vitit 2001, në të cilat PS, nëpërmjet “Dushkut” dhe Gjykatës Kushtetuese, i mori opozitës 12 mandate. Negociatat u hapën vetëm pas zbatimit të rezolutës së PE, në të cilën vlerësohej se Parlamenti i dalë nga zgjedhjet e 2001, nuk përfaqësonte vullnetin e popullit dhe rekomandoi zgjedhjen e një Presidenti konsensual, jo nga PS, si kusht për hapjen e negociatave. Në të kundërt, Presidenti nuk do të njihej nga PE.

Por pas hapjes, negociatat fill u bllokuan për shkak të zgjedhjeve lokale të vitit 2003 në të cilat, Edi Rama, rrëmbeu me banda dhe killer 137 kuti votimi dhe i solli në KZAZ-të e qytetit Tiranë vetëm pas 72 orëve, gjë që bëri që Gjykata të urdhërojë përsëritjen e zgjedhjeve në rreth 140 qëndra votimi, pra në gjysmën e Tiranës.

E vërteta është se zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2005, nuk ishin brenda standarteve, por ishte Fatos Nano që pranoi humbjen dhe rotacionin e pushtetit.
Zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2009, u vlerësuan si zgjedhje që përmbushën standartet e OSBE/ODHIR dhe si zgjedhje në të cilat nuk pati asnjë të dhënë për manipulim rezultati apo numërim të parregullt, por megjithëkëtë PS dhe Rama nuk njohën rezultatin e tyre.

Në zgjedhjet lokale të vitit 2011, Rama, i vendosur të mos pranojë humbjen, rrethoi KQZ me qëllim shkatërrimin e materialit zgjedhor dhe hoqi dorë vetëm pasi mori një ultimatum të prerë. Së fundi, Rama kryeministër, nëntorin që kaloi, në prag të vendimit për statusin e vendit kandidat, në zgjedhjet e Korçës, i tha Brukselit: më falni, por unë nuk rri dot pa vjedhur vota dhe bleu mijëra e mijëra vota. Këto fakte provojnë në mënyrë të përsëritur dhe të kristaltë se PS dhe Edi Rama kanë si qëllim më kryesor jo zgjedhjet e lira por pushtetin e tyre, me çdo çmim qoftë dhe duke rrënuar standartin e zgjedhjeve. Por jo më pak problematik dhe anakronik është qëndrimi i PS dhe Edi Rames ndaj votës se fituar.

Vlerësimi i Ramës për votën dhe energjinë e saj, është thuaj i njëjtë me të etërve të tij. Bllokmenët, votën e konsideronin plumb për armikun, edhe Rama e konsideron energji negative, shuplakë për armikun. Ai mbi këtë koncept ekstremist, ndërton marrëdhëniet me opozitën të cilën, me mëndjen e tij të sëmurë, e quajti “gropë septike”. Përveç kesaj, Rama, votën pro tij po e përdor si çekiç për të rrëzuar stadartet europiane, nenet e Kushtetutës, ligjet, vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe gjykatave të tjera, institucionet e pavarura dhe për t’u hakmarrë ndaj kundërshtarëve politikë, të gjitha këto vetëm e vetëm për fuqizimin e pushtetit të tij personal.

Në qëndrimin e PS dhe Edi Ramës ndaj zgjedhjeve të vitit 2009 dhe, më pas si kryeministër, ndaj zgjedhjeve lokale në Korçë, qëndron shkaku më themelor i refuzimit, dhjetorin që kaloi, të statusit të vendit kandidat Shqipërisë. Lidhur me këtë, një nga personalitetet më kryesore dhe më të informuar të Brukselit, në përgjigje të akuzave të Edi Ramës ndaj BE, deklaroi në TV Klan, live, tekstualisht: “Shqipëria do kishte marrë statusin vitin e kaluar, atë e pengoi Edi Rama me qëndrimin e tij ndaj zgjedhjeve të rregullta të vitit 2009 dhe kjo përbën një problem serioz për ne”. Pra, Edi Rama nuk pengoi këtë vit statusin se nuk votoi në parlament tre ligjet, por se ai nuk pranoi votën kundër të vitit 2009 dhe për këtë ai duhet vëzhguar sepse është i pabesueshëm.

Respektimi i lirive dhe të drejtave njerëzore dhe minoriteteve përbën kushtin e kushteve për integrimin në BE.
Para vitit 2005, ndër problemet më madhore në fushën e lirive dhe të drejtave njerëzore sipas organizatave serioze ndërkombëtare ishin vrasjet, torturat, burgosja e drejtuesve qendrorë dhe lokalë për motive politike të opozitës, deri dhe me akuzë si krime kundër njerëzimit, gjendja çnjerëzore në institucionet e paraburgimit dhe vuajtjes së dënimit, dhuna ndaj grave dhe seria e pafundme e proçeseve gjyqësore ndaj mediave nga pushtetarët, situata tejet e rëndë e romëve dhe egjiptianëve.

Në vitet 2005-2013 opozita ndërmori 1751 protesta paqësore dhe dy të dhunshme; nuk pati asnjë rast burgosje apo torture politike, asnjë padi penale apo civile ndaj mediave nga administrata. Me vullnet të hekurt, investime të mëdha me ndihmën e BE, përmirësuam në mënyrë të ndjeshme dhe me shpejtësi standartet dhe të drejtat në institucionet e paraburgimit dhe vuajtjes së dënimit. Përpjekje u bënë kundër dhunës ndaj grave dhe u pergjysmua diferenca gjinore ne paga. Po keshtu u moren masa serioze per përmirësimin e gjendjes së romëve dhe egjiptianëve në vend.

Që javët e para të mandatit të tij, Edi Rama përdor forcën e ekzekutivit për të rrafshuar banesat me leje të qytetarëve, madje dhe në kundërshtim me vendimet e gjykatave. Qytetarë të pafajshëm u ndaluan fshehtas, për 72 orë. Javën që kaloi ai filloi bllokimin e protestave paqësore. Gjendja në paraburgimet dhe burgjet e vendit po përkeqësohet me shpejtësi. Qeveria ka dhënë një sërë dënimesh kolektive si shkarkime kolektive nga puna, ka dhunuar të drejtat e qytetarëve të konfirmuara me vendim gjykate, banesat kontrollohen në dhunim të ligjeve, Rama kontrollon mbi 80% të mediave. Ai shpërblen mediat me pasuri publike.

Dialogu politik me opozitën përbën një nga kushtet themelore të Kopenhagen-it. Qëllimi më kryesor i dialogut është konsensusi për reformat që duhen për proçesin e integrimit, paqen sociale dhe stabilitetin e vendit. Nga viti 2005 e në vazhdim, PD në pushtet zhvilloi një dialog konstruktiv të pandërprerë me PS dhe forcat e tjera politike. Frut i këtij dialogu kanë qenë reformat e mëdha elektorale, sistemi zgjedhor i përzgjedhur nga opozita, ndryshimet e thella kushtetuese të vendit, heqja e imunitetit dhe konsensusi për tre ligjet, etj. Kurse Edi Rama dialogun me opozitën e bazoi në platformën e një milion shuplakave, siç i quajti ai votat pro tij, dhe zëvendësoi me kërcënimin e tij primitiv ditën e parë se, “ky është vetëm fillimi”, etiketimin e saj “si gropë septike”, me vendosjen e tritolit në pronat legjitime të vjehrrit të kryetarit të opozitës dhe kundershtarëve të tjerë politik, arrestimin e bujshëm të tipit banditesk të drejtuesve dhe qeveritarëve vendorë dhe me urdhëra publike që X eksponent i opozitës të ndëshkohet, apo me blerje votash në zgjedhjet lokale, shkarkime masive, dënime kolektive, prishjen e konsensusit për ligjin e mediave dhe për hyrjen në 1 tetor në fuqi të ligjit të nëpunësit civil.

Me sa duket, për Ramen dhe neobllokmenët në pushtet, dialogu me armikun që ka marrë një milion shuplaka, është i pavlerë ndaj mund të thuhet se, pavarësisht nga dëshmitë e rreme, sot në Shqipëri dialogu nuk ekziston.

Në proçesin e integrimit europian, kriteri më themelor apo emëruesi i përbashkët i të gjitha kritereve të tjera të Kopenhagenit, është funksionimi i shtetit ligjor. Në këtë kontekst, zbatimi i Kushtetutës, zbatimi i paanshëm i ligjeve të vendit, vendimeve të gjykatave përbëjnë themelin e funksionimit të shtetit ligjor. Në vitet 2005-2013 u zbatuan me seriozitet të plotë Kushtetuta, ligjet e vendit, vendimet e gjykatave. Natyrisht, këto jo pa mangësitë e veta por, asnjëherë ato mangësi nuk ishin të tilla që të pengonin procesin e integrimit.

Kështu, në vitin 2011 Komisioni Europian përcaktoi 12 prioritete për rekomandimin e statusit të vendit kandidat. Qeveria me reforma serioze i përmbushi ato, gjë që bëri të mundur rekomandimin e përsëritur nga Komisioni për statusin e vendit kandidat në vitet 2012, 2013.

Qëndrimi ndaj Kushtetutës i Ramës dhe Metës është kryekeput në funksion të pushtetit personal dhe është tipik diktatorial, siç do ti thoshte haptas dy ditë më parë kryetari i Komisionit te Jashtem te Parlamentit Europian. Si askush tjetër në një vend të lirë Rama ndryshon Kushtetutën me akte normative ose shkel dhe dhunon sistematikisht në gërmë dhe në frymë, me vendime qeverie, nenet e saja si: 4, 7, 11, 15, 17, 23, 38/1, 41, 42, 77, 80, 86, 97, 101, 113, 116, 118, 186, pra nenet që kanë të bëjnë me simbolet dhe ceremonialin zyrtar, me organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave, shfuqizimin e akteve të Këshillit të Ministrave, kriteret kushtetuese të përdorimit nga Këshilli i Ministrave i akteve normative, ndarjen dhe balancën e pushteteve, buxhetin e shtetit, interesin publik, mbrojtjen e pronës private, privatësisë dhe mos cënimit të banesës, paraqitjen në parlament të programit politik të qeverisë, autonominë dhe kopetencat e qeverisjes vendore, lëvizjen e lirë të qytetarëve dhe gjobitjen e tyre, të drejtën e opozitës për komisione hetimore parlamentare, të drejtën e informimit, komisionet e kontrollit parlamentar.

Po ne funksion te pushtetit personal, Rama shpalli publikisht moton “Nuk zbatojmë ligjet e Berishës”, dhe njëlloj si në rastin e neneve të Kushtetutës ai i rrëzon ato me vendime qeverie apo vendime të kryeministrit, madje dhe të ministrave, ligjet organike dhe ligje të tjera të vendit si: ligjin për organizimin e Këshillit të Ministrave, ligjin e buxhetit të shtetit, ligjin për Nëpunësin Civil dhe për Organizimin dhe Qeverisjen Vendore, ligjet për Shërbimin e Jashtëm, për Planifikimin e Territorit, për Pronën, Shpronësimin, Legalizimet dhe për Statistikat Zyrtare, Kodin e Punës, Kodin e Procedurës Administrative, Kodin Rrugor, Kodin e Procedurës Tatimore, ligjet për ILDKP, për Agjencinë e Luftës Kundër Pastrimit të Parave, për Policinë e Shtetit, për Inspektimin e Ndërtimit, për Avokaturën e Shtetit dhe për Komisionin e Prokurimeve Publike. Vetëm në tre muaj Rama ka bërë të paqena shumicën dërmuese të ligjeve të institucioneve të vendit.

Në kundërshtim të hapur me ligjet e këtyre institucioneve, kriteret ligjore për emërimin dhe shkarkimin e titullarëve të këtyre institucioneve nga Rama, Drejtori i Policisë së Shtetit i emëruar më parë nga ish-zëvendës Drejtori i Policisë së Shtetit, tashti u zëvendësua në shkelje të tre kritereve kryesore ligjore me një ish-oficer policie, komisioner i PS në disa zgjedhje, përfshirë këto të fundit, i larguar nga Policia e Shtetit nga vet qeveria e PS për korrupsion dhe ryshfete. Drejtor i Personelit të Policisë së Shtetit u emërua kandidati për deputet i PS.

Drejtori i Institutit të Statistikave, një zonjë akademike, e graduar si Doktore Shkencash në Francë, që realizoi me sukses të plotë dy censuset e vendit, u zëvendësua me një ish-drejtues të G-99 dhe të PS. Drejtori i Agjencisë së Luftës kundër Pastrimit të Parave, që ishte emëruar në atë detyrë nga Zëvendës Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, njeriu që denoncoi disa herë eksponentë të lartë të PS për larje parash, u zëvendësua në mënyrë të kundërligjshme nga kryefinancieri i PS.

Po kështu, në kundërshtim me ligjin, u shkarkuan dhe zëvendësuan Kryetari i Komisionit të Ankesave të Prokurimeve Publike, Avokati i Shtetit, Drejtori i Agjencisë së Prokurimeve Publike dhe shumë të tjerë.

Rama-Meta, për të fshehur pasuritë e veta dhe të kupolave të tyre, shkarkuan ne dhunim te ligjit Kryetaren e ILDKP. Ata e zevendesuan ate duke marrë kompetencat e Presidentit te Republikës. Ligji stipulon se brenda 16 ditëve me krijimin e vendit vakant, Presidenti i Republikës dërgon në Parlament dekretin me dy kandidatura dhe për të zëvëndesuar kryetarin e ILDKP. Kurse Rama – Meta, per te perjashtuar dekretin e Presidentit, futën ne votim kandidaturen e dekretit te meparshem qe nuk kishte fituar si dhe kandidaturen e sapo shkarkuar nga ata vet, sipas tyre te emëruar ne kundërshtim me kushtet ligjore. Me këtë akt ata dhunuan Kushtetuten dhe morën kompetencat e Presidentit te Republikës. Ata shkarkuan Kryetaren e ILDKP vetëm se ajo, në përputhje me ligjin, kishte kërkuar, me një shkresë të datës 6 mars 2013, zonjën Rama për të dhënë sqarim mbi burimin e fondeve të ndërtimit të pallatit 5-katësh të familjes së saj dhe kishte nisur hetimin e deklaratave të pasurisë të zotit Rama për vitin 2010. Natyrisht per Ramën dhe Metën para pasurive te tyre te paligjshme standartet nuk ekzistojne.

Zbatimi i vendimeve të gjykatave është kusht sine qua non për funksionimin e shtetit ligjor. Në revanshin e tij të papërmbajtur ndaj shtetit ligjor, gjithnje ne funksion te pushtetit personal dhe per te nxjerre veten mbi gjykatat, qeveria Rama – Meta refuzon të zbatojë vendimet, që nuk iu pëlqejnë, të gjykatave. Ato dolën publikisht me teorinë e vendimeve të pavlefshme të gjykatave. Në çdo vend të lirë vendimi i gjykatës shpallet i pavlefshëm vetëm nga gjykata eprore dhe jo kurrë nga ekzekutivi. Madje qeveria Rama -Meta miratoi VKM per kompetencat e Inspektoriatit te Ndertimit, me te cilin perjashtonte gjykatat nga gjykimi i vendimeve arbitrare te ekzekutivit. Keshtu, sipas këtij vendimi INUK mund te prishë shtepitë me leje te qytetarëve duke iu mohuar të drejtën të ankohen në gjykate. Ky vendim u rrëzua si vendim antikushtetues nga Gjykata Kushtetuese.

Bazuar në këtë koncept, janë dhunuar dhe shkelur vendimet e Gjykatës Kushtetuese Nr. 9, 29/2007, 29/2006, 24/2006, 2/2013, 28/2002, 18/2003, 20/2007, 22/2010 për Kontrollin e Territorit, Nëpunësin Civil, për vendim-marrjen e Këshillit Kombëtar të Territorit, aktet normative të Këshillit të Ministrave, nivelin e borxhit, paraqitjen e programit politik, Komisionet hetimore parlamentare, etj.

Qeveria Rama-Meta, nuk zbaton vendime të gjykatave të tjera që hedhin poshtë vendimet e qeverisë, si p.sh. vendimin për shkarkimin e kundraligjshëm të anëtarëve të Këshillit të Statistikave, e Drejtorit të Institutit të Statistikave, Drejtorit të Agjencisë të Luftës Kundër Larjes së Parave apo për masën e sigurisë për kompleksin Jon, etj., etj. Në betejën e tij kundër zbatimit të vendimeve të Gjykatave, Edi Rama ka shkuar në ekstrem. Ai, vet personalisht, me telefonata direkte ose me mesazherët e tij ka kërcënuar, madje dhe me jetë për vendimet e tyre, gjykatës që kanë gjykuar dhe rrëzuar vendimet e qeverisë.

Respektimi i institucioneve të pavarura, si dëshmia kryesore e respektimit të parimit të ndarjes së pushteteve, është një parim kryesor i demokracisë, kushtetueshmërisë dhe shtetit ligjor. Me ardhjen e PD në pushtet në shtator të vitit 2005, të gjitha mandatet e pushteteve dhe institucioneve të pavarura u respektuan, pa u ndërprerë, deri në fund dhe qeveria e PD bashkëpunoi me këto institucione, kreu reforma të rëndësishme që i garantuan vendit një proces integrimi të vazhdueshëm. Kurse dyshja Rama-Meta, duke ndjerë veten mbi të gjitha pushtetet, sulmet e para të egra i nisën kundër Presidencës së vendit, që ditën e betimit të qeverisë, me heqjen e fotos së Presidentit, marjen e kompetencave të tij në emërimin e kryetarit të ILDKP. Ata sulmuan KLD, Prokurorinë, gjykatat të cilat Rama i vlerësoi publikisht si ferri i vendit dhe pastaj të gjitha institucionet me drejtues të emëruar, në përputhje me ligjin, nga mazhoranca e mëparshme. Nga ky sulm shpëtoi vetëm Avokati i Popullit, që ishte emëruar si propozim i Edi Ramës. Kreu i ekzekutivit ka bërë përpjekje të faktuara, të padenja mafioze për rikatimin e drejtuesve kryesor të institucioneve të vendit.

Vae Victis – Mjerë i munduri, thoshin latinët.

Konsolidimi, kualifikimi i administratës publike është i një rëndësie përcaktuese për procesin e integrimit te vendit. Në kuadrin e konsolidimit të Shërbimit Civil, me financimin dhe mbështetjen teknike të BE, u miratua më 30 maj 2013, me konsensus, ligji i nëpunësit civil, që hynte në fuqi me datë 1 Tetor 2013. Por, me një akt normativ, të cilin Gjykata Kushtetuese e shpalli antikushtetues, Edi Rama shtyu me 7 muaj zbatimin e këtij ligji dhe i hapi kështu rrugën gijotinës politike, shkarkimeve masive në administratën publike.

Bazuar në parimin “vae victis”, Rama – Meta larguan pa asnjë shkak ligjor, rreth katër mijë punonjës nga administrata publike për të cilët Shqipëria, Komisioni Europian dhe vendet anëtare të BE dhe SHBA kanë investuar qindra miliona Euro. Procesi i “dizinfektimit”, siç e quajti Rama spastrimin masiv, nuk kurseu drejtuesit, specilistët më të mirë që, të marrë së bashku, kishin qindra dhe mijëra vite shkollime, kualifikime dhe trajnime jashtë vendi, por as edhe pastruesit, elektricistët, rojet, etj.

Nga ana tjetër, Rama – Meta instaluan administratën më të paaftë, fund e krye nepotike dhe kleptokratike, e përbërë nga individë delitantë, persona të dënuar për korrupsion, trafiqe droge, femrash etj.

Shkatërrimi me hakmarrje primitive i administrates publike që realizoi deri sot proçeset e mëdha integruese është një veprim me kosto jashtëzakonisht të lartë për proçesin e integrimit të vendit. Paralajmërimet dhe alarmi i Brukselit kane qene te qarta. Por piktori dështak dhe i sëmurë psiqikisht ka si ligj prishjen, riprishjen, fillimin, rifillimin nç pambarim!

Ata që krahasojnë këto ndryshime te administrates me ato të 2005, me ose pa qëllim, gabojnë. Së pari sepse ne administraten publike te vitit 2005 vetem 1% e punonjesve ishin te shkolluar apo graduar ne perendim. Ne sajë te bonuseve dhe konkurseve ta hapura kjo shifer arriti ne 22% ne vitin 2012. Se dyti, ndryshimet e vitit 2005 kanë qënë vetëm 1/3 e përmasave te ndryshimeve te sotme dhe, së treti, kjo është administrata e cila kreu reformat e suksesshme të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, firmosjen, ratifikimin dhe zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, që iu përgjigj pyetësorit të Komisionit Europian, kreu reformat që sollën heqjen e vizave dhe rekomandimin, dy vite me rradhë, të statusit të vendit kandidat.

Në vitet e krizës më të thellë ekonomike dhe financiare në Europë dhe në botë, ekonomia shqiptare është ndër më të paktat që nuk ra në reçension, ruajti rritjen ekonomike dhe bëri të mundur projektin më ambicioz të zhvillimit të Shqipërisë.

Në vitin 2005, qytetarët shqiptarë furnizoheshin me energji vetëm gjysmën e ditës, kurse nga viti 2007 furnizohen me energji 24 orë. Rrugët dhe shkollat, spitalet e Shqipërisë ishin jashtë të gjitha standarteve. Në tetë vite, Shqipëria ndërtoi mbi 11 mijë km rrugë, sipas KE, më shumë se i gjithë rajoni marrë së bashku. Ne ndërtuam dhe rindërtuam mbi 1300 shkolla, 400 spitale dhe qëndra shëndetësore, 700 ujësjellësa dhe kanalizime. Në dhjetor të vitit 2005, inauguruam impiantin e parë të përpunimit të ujrave të zeza, që nga ajo kohë e në vazhdim, ne ndërtuam edhe 10 impiante të tjera. Shqipëria në vitin 2006 kishte nivelet më të ulta në botë, vetëm 4.8% përdorimin e internetit, ndërsa sot ka arritur në mbi 60%. Po kështu, u dyfishua numri i bizneseve të vogla, u trefishua numri i bizneseve të mëdha. Investimet e huaja dhe eksportet u rritën mbi tre herë. Të ardhurat buxhetore pothuaj u dyfishuan, rroga mesatare ishte vetëm 260 dollarë, standarti i pa shpallur europian ishte së paku mbi 520 dollarë. Në 8 vite rroga mesatare u rrit në 540 dollarë. Në vitin 2005 Shqipëria kishte 12 studentë për 1000 banorë nga 42 që ishte mesatarja e BE, kurse sot ajo ka 48 studentë për 1000 banorë. Vendi kishte një vdekshmeri foshnjore e amtare dyshifrore, ndërsa gjatë 8 viteve ato zbritën në njëshifrore. Në Shqipëri në vitin 2011, mbi 340 mijë familje shqiptare, nga 720 mijë që janë tërësisht, kanë më shumë se një banesë. Numri i turistëve dhe vizitorëve u rrit nga 300 mijë në vitin 2004 në 2.7 milion në vitin 2012. Kurse Qeveria Rama – Meta po zhyt vendin në reçesion. Shenjat e para te tij jane tashme prezent. Në një akt të papergjegjëshemqeveria rriti tejmase shpenzimet dhe në 16 muaj rriti borxhin publik në 75% apo 2.3 herë më shumë së sa e rritëm ne në 8 vite.

Lufta serioze, e paanshme, transparente kundër korrupsionit, përbën një kërkesë themelore në procesin e integrimit. Nga viti 2005 e në vazhdim ne hapëm një kapitull të ri në luftën kundër korrupsionit, së pari, me reforma për parandalimin e tij dhe së dyti, ndëshkimin ligjor të autorëve të tij. Në këtë kontekst, u amenduan ligjet e KLD, ILDKP, u miratua ligji për informatorët e korrupsionit dhe ia dolëm të heqim imunitetin për korrupsion për të gjithë zyrtarët e vendit. Në luftën kundër korrupsionit u ndërmorrën reforma të tjera të thella. Shqipëria u bë vendi i parë në botë me prokurime elektronike 100% dhe shtrimë më pas këtë procedurë në blerjet e vogla, për çka Shqipëria mori një çmim nga OKB. Ne krijuam One Stop Shop për regjistrimin e bizneseve, E-Taks, E-Dogana, E-Punësim, u hoqën mbi 70% të lejeve dhe licensave dhe u krijua QKL, sporteli unik për dhënien e lejeve dhe licensave që mbetën. U dixhitalizuan Gjendja Civile, pranimet universitare, Noteria, Përmbarimi dhe një seri shërbimesh të tjera. Për një luftë efiçiente kundër korrupsionit, penalizimin e autorëve të kësaj vepre penale, u krijuan Taska Forca e drejtuar nga prokurorë, fillimisht në Tiranë dhe më pas në gjashtë rrethe të tjera, të cilat penalizuan qindra zyrtarë të niveleve të ndryshme, për afera korruptive. Megjithë këto arritje të pamohueshme korrupsioni mbetet një problem serioz, lufta kundër të cilit duhet thelluar.

Por problemet e dyshes Rama-Meta me korrupsionin dhe luftën kundër tij janë tepër serioze. Rama ulet në karrigen e kryeministrit, si politikani i vetëm në historinë e vendit, me një vilë në ndërtim në themele 57 m të gjatë, dhe që nuk ka deklaruar burimin financiar të ndërtimit të saj, përveç pretendimit se ka blerë truallin me 2 dollarë m2, në një zonë turistike ku çmimi i tokës, është më së paku 45 dollarë. Ai, erdhi në krye të ekzekutivit, me një pallat 5-katësh të gruas dhe familjes së saj pa asnjë qindarkë të deklaruar në tatime, dogana, banka dhe si i vetmi politikan që është akuzuar publikisht nga ndërtues për gjobën 25% të kërkuar prej tij, si kryetar i Bashkisë së Tiranës.

Siç thashë më sipër, viktima e tij e parë nga zyrtarët e lartë ishte kryetarja e ILDKP sepse kishte guxuar të kërkojë hetimin e pasurive të tij.

Nga 15 shtatori, prej 5 muajsh, kryeministria është shndërruar në një kantier, bëhen punime në të katër anët e saj, pa tender, pa projekt dhe që asnjë shqiptar nuk di kompaninë që punon?!

Rama paracakton, nëpërmjet Bibës së tij, fituesit e tenderave në këtë vend, natyrisht kundrejt përqindjes dhe autorizon ministrat e tij të japin tender pa garë, me të cilët ndan përqindjet. Rama paraqiti para shqiptarëve një kabinet, nga i cili disa ministra kishin afera korruptive publikisht të njohura.

Kështu, Financat e shtetit iu besuan ish-Guvernatorit, i cili pasi iu vodh Thesari i Shtetit në vitin 2001, u deklaroi shqiptarëve se në inventarin e Bankës nuk ka patur flori në Krrabë, paçka se në raportin vjetor të Bankës së Shtetit ai kishte raportuar të plotë sasinë e floririt që ndodhej në ruajtje në tunelin e Krrabës.

Ministër i Ekonomisë u emërua Arben Ahmetaj, të cilin komisioni hetimor parlamentar i vitit 2003, e gjeti se kishte vjedhur me kompaninë e tij të HERMES, 11 milion Euro impulse Albtelekomit, asokohe ndërmarrje publike. Dosja kaloi në Prokurori, por prokurori qe do të zgjidhej më vonë anëtar i forumeve të PS, i mbylli dosjen.

Në krye të rendit u vendos S. Tahiri, dy prindërit e të cilit ishin akuzuar nga Prokuroria e shtetit për kontrabandë ilaçesh (flagrancë) dhe evazion fiskal.

Në krye të Ministrisë së Mirëqënies Sociale dhe Rinisë, Erjon Veliaj, i cili u gjet me dy vila të ndërtuara pa asnjë qindarkë të deklaruar në tatime, bordero apo dogana e banka dhe që një ditë, zhduku kompjuterin e Mjaft-it dhe denoncoi në Polici sikur ja vodhën.

Në Ministrinë e Mbrojtjes emëroi Mimin, konfidenten e të gjitha aferave dhe pazareve korruptive të Bashkisë. Por përveç këtyre, ai bëri aleancë me Ilir Metën, për korrupsionin e të cilit ai vet ka dorëzuar një dosje voluminoze në kancelaritë europiane.

Për të gjitha këto Ramës, në Bruksel, iu kërkua publikisht që luftën kundër korrupsionit ta nisë nga partia e tij.

Në platformën e tij të luftës kundër korrupsionit, nuk ekziston asnjë masë apo reformë konkrete kundër tij. Ai e bazon këtë luftë në dy teza themelore. Së pari, korrupsioni është endemik dhe së dyti, lufta kundër tij nuk është punë njerëzish. Këto dëshmojnë qartë se, lufta kundër korrupsionit me qeverinë Rama-Meta është e pashpresë, inekzistente ose do bëhet vetëm për qëllime politike.

Një nga kërkesat më kryesore dhe problemet më madhore në rrugën e integrimit është lufta kundër krimit të organizuar. Shqipëria erdhi në vitin 2005 si një ndër vendet më të pasigurta të planetit, mafia shqiptare zinte kronikën e zezë të vendeve të BE. Me ardhjen e PD në pushtet, ne shpallëm luftën me zero tolerancë ndaj krimit të organizuar në 18 muaj, çmontuam 206 organizata dhe grupe kriminale dhe vendosëm para ligjit mbi 1000 anëtarë dhe bosë të krimit të organizuar, shpallëm moratoriumin për skafet dhe arritëm një rrënie drastike të trafiqeve. Shqipëria u bë një vend i sigurt. Kriminaliteti, për shtatë vite me rradhë, u ul nën mesataren e vendeve anëtare të BE.

Normalisht, çdo mazhorancë që vjen në pushtet me vullnetin e lirë të qytetarëve, përbën një trysni thuaj natyrale, kundër krimit të organizuar, kurse mazhoranca e re PS-LSI, kompromis i klaneve më të rrezikshme të mafies shqiptare, solli të kundërtën dhe po shndërron Shqipërinë me shpejtësi të madhe në protektoratin e mafies dhe krimit të organizuar.

Kjo sepse, në PS-LSI, janë aleatët tradicionalë të bandave më të rrezikshme të viteve 1997–2005. Sot krimi, tritolet, trafiqet, vrasjet, maskat, grabitjet kanë një revansh të jashtëzakonshëm. Vetëm në janar janë vendosur 21 bomba me tritol, më shumë se në 23 vite të marra së bashku.

Edi Rama personalisht paraqet politikanin me lidhjet më të ngushta dhe publikisht të njohura me krimin në Shqipëri. Vitet 2000-2011, Rama kryetar Bashkie, vendosi lidhje të shumëllojta me bandat më të rrezikshme shqiptare. Ai ndërtoi Kinema Republikën me bandën e rrugës Kavajës dhe emëroi menaxher kapon e saj, ndërtoi qindra e mijëra metra katrorë me Hakmarrjen për Drejtësi, bashkëpunoi me bandën e Lushnjes (siç tregojnë rregjistrimet e autoriteteve të Prokurorisë së Firences të botuara në media), është lidhur me bandën e Durrësit, atë të të Dritan Dajtit dhe disa banda të tjera.

Në krye të Ministrisë së Rendit është deputeti që, i rrethuar nga miq trafikantë droge, bleu i pari skaf pas abrogimit të moratoriumit për skafet, ministri që tre javë pasi mori detyrën iu ekzekutua, sipas burimeve të Policisë, ortaku i tij në kompaninë e lojrave të fatit. Ky person, drekon sot me kapon e bandës më të rrezikshme të vendit dhe lëshon komunikata zyrtare për llogari të saj kundër bandës rivale.

Në grupin parlamentar të PS-së janë jo një, por disa vrasës, trafikantë, pengmarrës, kurse në Policinë e Shtetit janë rikthyer dhe vendosur në pozicionet më kyçe drejtuese ish-punonjës të saj të shkarkuar për trafiqe, e krime tjera. Për t’i hapur rrugët trafiqeve qeveria Rama-Meta, me një akt absurd denimi kolektiv, shkrinë tërësisht Policinë Rrugore dhe Policinë kriminale të vendit iu lënë kështu fushë të hapur krimt dhe trafiqeve dhe në një hark të shkurtër kohor, trafikantët me uniformë, kanë marrë nën kontroll të plotë trafikun e drogës nga të gjitha drejtimet. Sasia e drogës që kalon nga Shqipëria drejt fqinjëve, është rritur me 6 herë, krahasuar me pak muaj më parë.

Si përfundim, bazuar në fakte të pamohueshme, qëndrimi i PD dhe PS ndaj standarteve europiane është i kundërt dhe roli i tyre në procesin e integrimit është tërësisht asimetrik, si në asnjë vend tjetër të Europes.

Shqipërisë iu refuzua dy herë statusi i vendit kandidat dhe kjo, vetëm e vetëm nga qëndrimi ndaj zgjedhjeve, votës së qytetarëve, shtetit ligjor të Edi Ramës dhe PS-së dhe fatkeqësisht me revanshin e tyre ndaj standarteve europiane, ne rrezikojmë refuzimin përsëri.

Komisioneri Stefan Fule, pasi dëgjoi dy ditë më parë opozitën në takimin qeveri – opozitë, u shpreh se “nëse i shkruaj një raport vendeve anëtare mesa u tha sot këtu ju e harroni statusin dhe merrni një listë jo me 5 por me 25 prioritete”. Përsëri duke mbështetur plotësisht statusin e vendit kandidat mendoj se pranimi i dhunimit të standarteve nga qeveria është me pasoja shumë të rrezikshme per qytetarët dhe demokracinë shqiptare.

Fill pas zgjedhjeve, disa qeveri, deklaruan se, për ti dhënë Shqipërisë statusin, atyre ju duhej kohë që të bindeshin për qëndrimin e qeverisë së re ndaj zbatimit te ligjeve, reformave dialogut me opoziten.

Në deklaratat e tyre, në dhjetorin që kaloi, kancelaria Angela Merkel, kryeministrat David Kameron e Mark Rutte bënë të qartë se, përcaktues për refuzimin e tyre te statusit te vendit kandidat Shqipërisë, është qëndrimi qeverisë ndaj shtetit ligjor, bashkëpunimit me opozitën, lufta kundër krimit dhe korrupsionit.

Mirëpo për PS dhe liderin e saj, standartet europiane nuk ekzistojnë. Kjo sepse, ato përmbajnë zbatimin e Kushtetutës, ligjeve, respektimin e institucioneve kushtetuese dhe të drejtave të qytetarëve, zbatimin e vendimeve të gjykatave, që vertet kufizojnë pushtetin personal të kreut të ekzekutivit, por që bëjnë qytetarët shqiptarë më të lirë, më të begatë, më të sigurtë.

Edi Rama këto nuk mund t’i pranojë sepse, ai nuk ka interes integrimin por vetëm pushtetin personal ose me mirë integrimin ne funksion te pushtetit te tij. Prandaj dhe ai, pas te gjitha ketyre qendrimeve dhunuese ndaj kritereve te Kopenhagenit, përdori shqipen e Naimit për të fajësuar me gjuhën e Enverit udhëheqësit europianë.

50 shikime 1 sote

About the Author

albaniaplus -

Komentoni

XHTML: Mund te perdorni keto html tags: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

Optimization WordPress Plugins & Solutions by W3 EDGE
We use cookies to ensure that we give you the best experience on our website.
Ok