Berisha: Rama ‘gjobë me pre’ qytetarëve. Tahiri: Historia të lë dhe mbrapa

48

berisha-fbIsh Kryeministri Sali Berisha përmes një statusi në Facebook, ka akuzuar Edi Ramën për gjobitje të qytetarëve pasi ka shndërruar policinë rrugore në skuadra të policisë partiake socialiste.

“Të dashur miq, prej mëse dy muajve, në Shqipëri, mijëra e mijëra qytetarë, gdhijnë në mëngjes të gjobitur nga skuadra të policisë partiake socialiste, madje pa asnjë dokument të firmosur nga inspektorë policie, por thjesht me shpalljen e emrit në faqen zyrtare të të gjobiturve të Policisë Rrugore.  

Kjo, sepse ata gjobiten në kundërshtim me ligjet dhe vetëm e vetëm se duhet të plotësojnë planin që kryekreu Edi Rama, ka vendosur për të mbuluar shpenzimet e Policisë së Shtetit me paratë që u grabit qytetarëve për automjetet e tyre. Kjo epidemi gjobash, me moton “gjobë me pre”, nisi mbasi Rama bëri paqe dhe vuri në kontroll për hesap të tij Lojërat e Fatit, me të ardhurat e të cilave ishte zotuar se do të ndihmonte Policinë. Në serinë e pafundme të gjobave, mediat kanë raportuar gjoba të vendosura për të gjallë dhe për të vdekur, për emigrantë që kanë një dekadë pa ardhur në Shqipëri”, ka shkruar ndër të tjera Berisha.

I menjëhershëm ka qenë reagimi nga ana e Ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri.   Ai i është kundërpërgjigjur ish-kryeministrit Berisha, për akuzat për gjobat me automjetet. Tahiri, është shprehur se Sali Berisha kur ishte kryeministër, nuk bëri gjë për policinë dhe se deklaratat e tij janë si qelbi që rrjedh nga plaga e pashëruar. “Kryetar i partisë pa kryetar, deputet Saliu, paska shfryrë sot kundër Policisë së Shtetit. Është ajo doza ditore e qelbit që i rrjedh nga plaga e pashëruar. Tamam si ata që nuk shërohen dot duke mësuar se nuk ua fërshëllen më njeri. Nuk binden se historia të le dhe mbrapa”, replikon ndër të tjera ministri  Tahiri.