15 vjet më parë NATO erdhi me pranverën

67

1natoNesër, në 24 mars, mbushen 15 vjet që nga dita kur NATO e udhëhequr nga SHBA filloi fushatën e bombardimeve kundër ish-Jugosllavisë për të detyruar presidentin serb Sllobodan Millosheviç të pushonte dhunën në Kosovë dhe për të shmangur katastrofën humanitare që kërcënonte rajonin.

E njohur si Lufta e Kosovës, fushata ajrore zgjati 78 ditë dhe solli më në fund çlirimin e Kosovës dhe kapitullimin e ushtrisë jugosllave.

Ndërhyrja e NATO-s do të jetë temë e debateve në shkencat politike dhe në të drejtën ndërkombëtare për shumë vjet me radhë. Pavarësisht se për shqiptarët ajo shënoi shpëtimin nga agresioni fashist serb, për historinë e njerëzimit ajo shënon një hap të rëndësishëm drejt dobësimit të sovranitetit të shtetit në favor të stabilitetit ndërkombëtar dhe të drejtave universale njerëzore.

Me ndërhyrjen në Kosovë, NATO nënvizoi parimin e ri në skenën ndërkombëtare sipas të cilit sovraniteti shtetëror nuk është më justifikim për diktatorët që të masakrojnë nënshtetasit e tyre.

Kritikët janë vënë në dukje se ky ndryshim mund të shkërmoqë sistemin ndërkombëtar që prej gati dy shekujsh bazohet mbi sovranitetin shtetëror.

Megjithatë, në një botë që bëhet gjithnjë e më shumë e vogël, ku globalizimi, zhvillimi i teknologjisë dhe ndryshimet e mjedisit kërcënojnë ose favorizojnë mbarë njerëzimin, prirja është që vendimet e mëdha të mos pengohen nga interesat e ngushta të një shteti.

Lufta pati një rëndësi të jashtëzakonshme edhe për vetë NATO-n e cila ishte në prag të festimit të 50 vjetorit të saj dhe ekzistenca e aleancës po vihej në dyshim. E krijuar për t’u përballur me Bashkimin Sovjetik, NATO ndodhej prej vitesh pa ndonjë arsye konkrete për të justifikuar ekzistencën e saj, tani që Lufta e Ftohtë kishte mbaruar.

Kriza e Kosovës tregoi se problemet e sigurisë dhe të stabilitetit në Europë mbeteshin reale, ndonëse nuk ishin më të karakterit ideologjik. Lufta e vitit 1999 i dha lirinë shqiptarëve por edhe të drejtën për të jetuar më tej vetë NATO-s, e cila qysh atëhere ka shtuar numrin e anëtarëve, një nga të cilat tani është pikërisht Shqipëria.

Për Kosovën, ndërhyrja e NATO-s ndryshoi përgjithmonë historinë e saj dhe të shqiptarëve në tërësi. Për herë të parë që nga vitet që i prinë Luftës së Parë Botërore, Kosova doli nga zgjedha e Serbisë për t’u vënë fillimisht nën mbikëqyrjen e një misioni të OKB-së. Në 2008, ajo shpalli pavarësinë duke kurorëzuar në mënyrë spektakolare atë proces që filloi me ndërhyrjen ushtarake të NATO-s dhjetë vjet më parë.

Masakra e Reçakut dhe refuzimi i Jugosllavisë për t’iu bashkuar shqiptarëve dhe ndërkombëtarëve në firmosjen e një marrëveshjeje paqeje në Rambuje i hapën rrugë ndërhyrjes ushtarake, por ky zhvillim nuk do të kuptohej pa vlerësuar proceset që e sollën atë: rezistenca paqësore e LDK-së me në krye Presidentin Rugova që ndërkombëtarizoi çështjen e Kosovës si dhe luftës së vendosur të UÇK-së me aktin e madh heroik të Adem Jasharit, i cili ra në luftë kundër pushtuesit serb e pas tij u masakrua e gjithë familja e madhe që ndodhej me të në Prekaz.

Ndonëse, ndërhyrja e NATO-s në Kosovë është rezultat i shumë faktorëve, një rol të pamohueshëm ka luajtur edhe puna e jashtëzakonshme e komunitetit shqiptaro-amerikan sidomos gjatë viteve 90-të për të edukuar politikën amerikane lidhur me çështjen e Kosovës.

Për shqiptarët këtu në SHBA, në Kosovë e kudo, Presidenti Bill Clinton dhe Sekretarja e Shtetit Madeleine Albright nuk do të harrohen kurrë për vendimet e guximshme e të principta që morën në atë pranverë të madhe të vitit 1999. Ato vendime ndryshuan si rrallë ndonjëherë historinë e kombit tonë dhe siç do të dalë më vonë edhe të gjithë botës.

/Illyria/